Ndërtimi i Korridorit VIII ka marrë një vëmendje të veçantë nga Qeveria shqiptare, si një nyje kyçe edhe e lëvizshmërisë ushtarake dhe linjave të furnizimit në rajonin e Evropës Juglindore.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau në rrjete sociale, pamje nga një pjesë të aksit rrugor që është ndërtuar dhe nga kantieri ku po vijon puna për ndërtimin e plotë të Korridori VIII, ku po investohet sipas standardeve më të mira të infrastrukturës rrugore.

Vengu tha se aktualisht po punohet në disa fronte për ndërtimin e këtij korridori të rëndësishëm për rajonin.

“Po punohet njëkohësisht në disa fronte në këtë korridor sigurie të NATO-s, jo vetëm për rajonin, por për krejt kontinentin tonë, për t’u përmbyllur më pas me pjesën më të rëndësishme, projektin e portit të ri në Porto Romano”, tha Vengu.

Korridori 8, një nyje rrugore dhe hekurudhore që nis në Brindisi në Itali, kalon nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfundon në portet e Bullgarisë, që nga 1 dhjetor 2022 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit Europian (TEN-T)./ata