Në drejtimin e kryetares Erisa Xhixho, Klubi Parlamentar për të Rinjtë zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit aktivitetin me temë “Sfidat e sistemit arsimor dhe problematikat”.
Të pranishëm në aktivitet ishin disa nga anëtarët e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Bardhyl Kollçaku, Enslemvera Zake dhe Denis Deliu, presidentë dhe senatorë nga qeveritë e nxënësve të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm në Shqipëri, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë, koordinator nga Agjencia e Sistemit Parauniversitar, Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe përfaqësues nga Fondacioni Westminster për Demokraci.
Në nisje të aktivitetit, kryetarja e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Erisa Xhixho, ngriti disa shqetësime dhe problematika që prekin sistemin arsimor në Shqipëri.
Argisa Lleshi, nënkryetare e Parlamentit të Nxënësve, u shpreh se në tekstet e Kimisë dhe Biologjisë nuk ka shpjegime të mjaftueshme, ndërsa nënvizoi se mësuesit sjellin vetë informacione shtesë. Përveç problemeve të hasura në kurrikulën mësimore, disa nga nxënësit shprehën shqetësimin për mungesën e laboratorëve në shkollat e tyre.
Anëtari i Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Bardhyl Kollçaku, u shpreh se do të mbështesin të rinjtë përmes përmirësimeve ligjore dhe nismave konkrete në shërbim të tyre.
Anëtari i Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Denis Deliu, iu drejtua nxënësve duke thënë se të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë në përmirësimin e njëri-tjetrit.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga, u shpreh përpara nxënësve se Ministria e Arsimit ka ndërmarrë disa nisma konkrete me qëllim përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri.
Në përfundim të aktivitetit, kryetarja e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, Erisa Xhixho, u shpreh se do të mbështesin të rinjtë dhe se do të zhvillohen dëgjesa të tjera për të konkluduar me iniciativa konkrete në shërbim të nxënësve./ata