Japonia është thellësisht e shqetësuar për shkeljet e fundit të hapësirës ajrore dhe aktiviteteve të tjera ushtarake nga Rusia dhe Kina, tha sot ministri i Mbrojtjes, Minoru Kihara.
Deklarata e tij erdhi gjatë një konference për shtyp, një ditë pas fluturimit të një avioni ushtarak rus tre herë mbi Detin e Japonisë në veri të ishullit Hokkaido.
“Një rrethanë që ka nxitur një luftëtar të Forcave të Vetëmbrojtjes Ajrore Japoneze të përdorë për herë të parë një raketë sinjalizuese”, sipas raportimit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Tashmë në fund të gushtit, Japonia konfirmoi se për herë të parë një avion spiunazhi ushtarak kinez kishte shkelur hapësirën e saj ajrore mbi ujërat e Detit të Kinës Lindore, në brigjet e ishujve të prefekturës Nagasaki, në arkipelagun jugperëndimor.
“Ne jemi të shqetësuar se këto lloj rastesh kanë ndodhur në një periudhë të shkurtër kohore në ujërat dhe në hapësirën tonë ajrore”, tha Kihara duke e quajtur ndërhyrjen e Rusisë në hapësirën ajrore një “akt provokues”.
Kihara gjithashtu raportoi se gjithsej tetë anije detare kineze dhe ruse kishin kaluar bashkërisht nëpër ngushticën e Sojës, midis Hokkaido dhe Sakhalin, ndërsa kishin kaluar nga deti i Japonisë në detin e Okhotsk – nga e diela deri të hënën.
Duke e përshkruar përdorimin e zjarrit kundër avionit rus si një “vendim të duhur”, Kihara tha se Japonia do të vazhdonte të monitoronte aktivitetet ushtarake kineze dhe ruse – për të dhënë “përgjigjet e nevojshme”./ata