Ministria e Financave ka hedhur për konsultim Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, si një parakusht që Shqipëria, duhet të plotësojë në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian “Lehtësitë për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor” (Growth Plan).

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se hartimi i politikave që kanë si synim jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe miradministrimin fiskal janë prioritet i punës së vazhdueshme, në përputhje edhe me objektivat e qeverisë.

Sipas tij, për hartimin e këtij dokumenti, Ministria e Financave është konsultuar dhe dakordësuar, si me Bashkimin Europian (BE), ashtu edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) me qëllim garantimin e stabilitet fiskal për tatimpaguesit, pa ndryshuar normat tatimore për periudhën e përcaktuar.

Në 10 vitet e fundit, Shqipëria ka rritur gradualisht përqindjen e të ardhurave të mbledhura në raport me PBB-në. Ecuria e mbledhjes së të ardhurave është parashikuar të vazhdojë me trend rritës të raportit të ardhura/PBB-së edhe sipas parashikimeve të bëra në Kuadrin Makrofiskal 2025–2027 të Ministrisë së Financave, ndërkohë që, kërkesat për më tepër shpenzime buxhetore të tilla si investime, mbrojtjen sociale, rritje pensionesh apo paga, do të vijojnë në rritje.

Objektivi i strategjisë afatmesme të të ardhurave, 2024-2027 është rritja e të ardhurave tatimore për periudhën katërvjecare me 2.5% e PBB krahasuar me vitin 2023.

Prioritetet mbi të cilat mbështetet kjo Strategji, me synim realizimin e vizionit, qëllimit dhe objektivave, janë përcaktim i qartë i objektivave sasiorë dhe synimeve që duhet të arrihen nëpërmjet SAA-së; përcaktimi i linjës së politikave tatimore për një periudhë katërvjecare me synim analizën e efekteve dhe rishikim tërësor e politikave tatimore, duke synuar neutralitetin e tatimit dhe zgjerimin e bazës së tatimpaguesve; krijimi i sistemeve dhe rritja e kapaciteteve të administratave fiskale për minimizimin e shmangieve tatimore dhe rritja e ndërgjegjësimit të pagimit të tatimeve./ata