Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian deklaroi se kanë kërkuar reforma urgjente në strukturat vendimmarrëse dhe menaxhuese të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në seancën e titulluar "Forcimi i qëllimeve të Kombeve të Bashkuara" në selinë e OKB-së në New York, Pezeshkian tha se nevojitet bashkëpunim shumëpalësh për t'u përballur me sfidat aktuale dhe në të ardhmen.
Sipas tij, sistemi shumëpalësh duhet të forcohet për të adresuar probleme të tilla si lufta, diskriminimi, varfëria dhe uria në rrënjët e tyre. "Asnjë dokument nuk mund të garantojë paqen derisa fëmijët dhe civilët vriten në Gaza", tha Pezeshkian.
Presidenti iranian tha se duan një botë pa armë bërthamore. "Edhe në rajonin tonë ne duam pa asnjë parakusht një rajon pa armë të shkatërrimit në masë", tha ai.
Pezeshkian shtoi se sanksionet e njëanshme i pengojnë vendet të arrijnë qëllimet e tyre të zhvillimit dhe mirëqenies dhe se kjo situatë duhet të eliminohet. "Rekomandoj që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së (Antonio Guterres) të paraqesë raport gjithëpërfshirës për këtë çështje tek Asambleja e Përgjithshme me pjesëmarrjen e vendeve që janë viktima të sanksioneve", potencoi ai.
Duke theksuar domosdoshmërinë e reformimit të mekanizmave vendimmarrës të OKB-së, Pezeshkian tha: "Ne kërkojmë reforma urgjente në strukturën e qeverisjes dhe në institucionet financiare ndërkombëtare, në mënyrë që të sigurohet që vendet në zhvillim të marrin pjesë në mekanizmat vendimmarrëse dhe të sigurojnë formimin e një strukture të drejtë dhe llogaridhënëse që do të zgjidh problemet financiare të vendeve"./aa