Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zv/kryeministren e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, kanë pritur në takim ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Jasna Duraković.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, palët biseduan mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushat e tjera me interes të përbashkët.

Gjatë bashkëbisedimit, Kurti theksoi të arriturat e Kosovës në fushën e arsimit gjatë këtij mandati qeverisës, me theks të veçantë në arsimin publik falas, por edhe përkushtimin e qeverisë në barazinë mes të gjitha komuniteteve dhe qasjes së barabartë pa dallim, duke potencuar procesin e subvencionimit të librave për të gjithë fëmijët.

Kurti tha se janë gjithsej 2.670 nxënës të komunitetit boshnjak që vijojnë mësimin nga arsimi parashkollor e deri te ai i mesëm dhe i lartë, ndërsa numri i mësimdhënësve boshnjak është 486 në të gjithë Kosovën.

Në takim u trajtua dhe mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës, si dhe krijimi i komisioneve të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në gjuhën boshnjake.

Ministrja Duraković, nga ana e saj, u shpreh e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe vlerësoi bashkëbisedimin me kryeministrin Kurti dhe zv/kryeministren Rexhepi, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e saj për rritjen e bashkëpunimit./aa