Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR ka shënuar 25-vjetorin e vendosjes së trupave në Kosovë të cilat angazhohen për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, në një ceremoni të mbajtur në Kampin "Film City" në Prishtinë.
 

Siç njofton KFOR-i, ngjarja u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Özkan Ulutaş, derisa mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ai i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian si dhe nga ambasadorë të shumtë të vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it dhe udhëheqës fetarë.
 

"Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, si dhe aktualisht më i madhi i saj. KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil", tha gjeneral majori Ulutaş.
 

Ulutaş duke nderuar shërbimin dhe sakrificën e atyre që humbën jetën duke i shërbyer KFOR-it, tha se pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen nën KFOR-in gjatë 25 viteve, NATO-ja nuk mund të kishte luajtur rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
 

"Roli i KFOR-it mbetet thelbësor. Jam i nderuar që vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim me ju dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar që i komandoj", theksoi komandanti i KFOR-it.
 

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
 

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë./TRT