Një person që udhëtonte me biçikletë është aksidentuar pasdrekën e sotme, duke shkaktuar dhe trafik të rënduar në hyrje të qytetit të Durrësit.

 

Ngjarja ka ndodhur tek Ura e Dajlanit ku rreth orës 14:45, një automjet ka përplasur shtetasin P. P., rreth 60 vjeç, që lëvizte me biçikletë.

 

I dëmtuari është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e komisariatit të policisë Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Ngjarja rrugore ka shkaktuar bllokim të qarkullimit në aksin Durrës-Tiranë, ndërsa policia në vendngjarje po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe njëkohësisht për të normalizuar situatën e qarkullimit rrugor.

 

“Rreth orës 14:45, në lagjen nr. 4, Durrës, një automjet me drejtues shtetasin E. T, ka përplasur shtetasin P. P., rreth 60 vjeç, që lëvizte me biçikletë, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti”- njoftoi policia.