Liqeni i Xhemës, në hyrje të Valbonës, është kthyer në një destinacion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky liqen, të cilin e cilëson “një copëz parajse të natyrës shqiptare”.

“Liqeni i Xhemës në Valbonë të Tropojës, një copëz parajse e natyrës shqiptare, ende e panjohur nga shumë turistë, por që pak nga pak po zbulohet e po kthehet në destinacionin më të preferuar, kryesisht të vizitorëve të huaj që pëlqejnë ecjen në natyrë e turizmin e aventurës”, shkruan Rama.

Liqeni i Xhemës është një liqen natyror i vendosur në hyrje të zonës së banuar të fshatit Valbonë, pjesë e Parkut Kombëtar të Valbonës. Ky atraksion është i arritshëm për çdo grupmoshë për ecje dhe eksplorim.

Në hyrje të luginës, buzë rrugës nacionale e cila është e asfaltuar, për vizitorët ka tabela orientuese dhe mund të ndiqet shtegu në mënyrë autonome edhe pa ndihmën e një guide.

Shtegu kalon përmes pyllit të gjelbëruar në pranverë apo atij të artë në vjeshtë./ata