Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmoi sot se ka pasur një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Nokën, ku kanë diskutuar për aksionin opozitar, por edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Natyrisht që është diskutuar edhe për tema të ndryshme të bashkëpunimit. Që nga përshkallëzimi i protestave, duke nisur nga nesër përpara bashkisë së Tiranës, e deri tek përshkallëzimi dhe koordinimi më i mirë në përgjithësi i gjithë veprimit opozitar”, u shpreh Meta në konferencë pqr mediet.
Natyrisht, shtoi Meta, “edhe për të forcuar bashkëpunimin në drejtim të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, të cilat si rezultat i mosbërjes për herë të parë në historinë e Shqipërisë të një reforme zgjedhore, janë tërësisht të kërcënuara dhe të rrezikuara dhe të cilat apelojnë për rritjen e mobilizimit opozitar, qytetar në tërësi në drejtim të mbrojtjes së votës nga ky regjim”.
I pyetur nga gazetarët në një konferencë për mediet nëse do të jetë pjesë e primareve të PD për zgjedhjet e ardhshme, Meta u shpreh se, “ne respektojmë çdo vendim të PD-së dhe të gjithë partive të tjera opozitare”.
“Ne marrim vendimet tona në interesin mirë të mirë maksimizimit të rezultatit të opozitës së vërtetë në këto zgjedhje dhe të fitores së saj. Në këtë drejtim respektojmë çdo vendim të PD-së dhe ata besoj do të respektojnë çdo vendim tonë”, u shpreh Meta.
“E rëndësishme është fryma e bashkëpunimit dhe fuqizimi i aksionit opozitar”, shtoi Meta.
Meta gjithashtu theksoi se, PL do të preferonte gjithmonë që të dilte me logon e saj, me flamurin e saj dhe programin e saj.
I pyetur nëse do të preferonte një listë të përbashkët apo listë të ndarë, Meta u shpreh se, “PL në çdo rast do të preferonte në radhë të parë fitoren e opozitës. Në radhë të dytë vendosjen e fitores së opozitës si objektiv të përbashkët të gjithë forcave opozitare dhe pa asnjë diskutim do të preferonte gjithmonë që të dilte me logon e saj, me flamurin e saj dhe programin e saj, por kjo është një çështje, e cila nuk e vë në diskutim luajalitetin e PL ndaj gjithë aksionit opozitar”.
I pyetur për idenë e krijimit të Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi, Meta u shpreh se, “janë dy gjëra të ndryshme angazhimi politik i shtetit, i qeverisë, për afirmimin e Shqipërisë si Qendër Botërore e Bektashizmit, sepse kjo në fund të fundit është një vlerë e shtuar për vendin tonë dhe është krejt tjetër një shtet sovran kur Kushtetuta e Shqipërisë është shumë e qartë lidhur me sovranitetin e vendit”./ata