Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë, Turizmin dhe Sportin të Sllovenisë, Matevž Frangež, gjatë Ministerialit Ekonomik për Ballkanin Perëndimor në Berlin.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Gonxhja ndau momente nga takimi, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në projekte me ndikim ekonomik, duke u fokusuar në përvojën sllovene në ekonominë malore dhe rurale.

Ministri Gonxhja theksoi rëndësinë e zhvillimit të strategjive të reja për tërheqjen e investimeve të huaja dhe gjenerimin e rritjes tregtare dhe rajonale. Ai vuri theksin te sipërmarrja inovative dhe promovimi i Shqipërisë si një destinacion i rëndësishëm turistik.

Në takim, palët ndanë prioritete të përbashkëta dhe perspektiva rajonale e integruese, duke njohur mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë për vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e harmonizimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian./ata