Mjeku i ri Erind Shurdhi ka lënë Gjermaninë për t’u kthyer në vendin e tij dhe për të ushtruar profesionin e tij në vendlindje.
Kështu u shpreh sot zv/kryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila e takoi mjekun e ri në Divjakë.
“Shurdhi, një i ri që asnjëherë nuk e harroi vendlindjen e që në fund zgjodhi t’u shërbejë qytetarëve të Divjakës. Model që meriton mirënjohjen maksimale. Ai ka studiuar 6 vite në Itali, 7 vite ka qëndruar në Gjermani dhe më pas këtu në Divjakë ia kanë mbushur mendjen për t’u rikthyer, prindërit besoj”, tha Balluku.
Sipas saj, qytetarët e Divjakës janë të kënaqur që kanë një mjek që ka studiuar jashtë dhe që u shërben 24 orë, pasi jeton në Divjakë.
Mjeku Shurdhi u shpreh se një nga arsyet ishin prindërit, por edhe iniciativa e tij personale për vendin ku u rrit. “Diploma ishte arsyeja ime që isha jashtë shtetit, por pasi e arrita këtë synim e pashë të arsyeshme të kthehesha dhe t’i shërbej qytetarëve.”
Punësimi i mjekëve të rinj në gjitha spitalet e vendit po sjell përmirësim të shërbimeve që ofrohen në shërbimin terciar./ata