Me vendim të gjykatësit në Gjykatën Themelore në Prishtinë është shtyrë seanca fillestare për rastin e sulmit në Banjskë të Komunës së Zveçanit e cila ndodhi më 24 shtator 2023.
Tre nga gjithsej 45 të akuzuarit për rastin Banjska u sollën në seancën fillestare, ku të pranishëm ishin edhe pala mbrojtëse e tyre si dhe pala mbrojtëse e ish-rreshterit policor që humbi jetën në Banjskë, Afrim Bunjaku, si dhe të dëmtuar tjerë në këtë rast.
Shtyrja e seancës për 9 tetor u vendos pasi avokatët e të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq kërkuan më shumë kohë për të lexuar shkresën e lëndës dhe provat e Prokurorisë, pasi sipas tyre, ata kanë marrë aktakuzat ditën e hënë, më 23 shtator 2024.
Gjyqtari Arben Hoti tha se për 42 të akuzuarit tjerë, për procedurë të gjykimit në mungesë, do të kërkohet opinion nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Paraprakisht, prokurori special i këtij rasti, Naim Abazi ka thënë se pjesa tjetër e grupit terrorist të Banjskës nuk ka mundur të kapet për t'u sjellë në gjykatë, por ai tha se pavarësisht kësaj, mund të bëhet gjykimi në mungesë. Ky propozim u kundërshtua nga avokatët e tre të akuzuarve të pranishëm.
Arianit Koci, avokati i policit të ndjerë që humbi jetën në detyrë, Afrim Bunjakut, tha se nuk ka faktorë që gjykata të vendosë të mos mbahet gjykimi në mungesë. Ai në një prononcim pas shtyrjes së seancës, konsideroi se lajm i mirë në këtë rast është që të gjithë të akuzuarit janë në listë të kërkimit nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale – INTERPOL.
"I kemi 42 persona të cilët nuk janë nën drejtësinë e Kosovës, pra, janë në arrati. Lajmi i mirë është që të gjithë këta, pra 42 personat janë në kërkesën e kuqe apo 'red notice' të Interpolit dhe asnjëri prej tyre nuk mund ta lëshojë më Serbinë, përndryshe do të arrestohen menjëherë", theksoi Koci.
Tre të akuzuarit që po mbahen në paraburgim që nga arrestimi më 24 shtator 2023, janë pjesë e grupit prej 45 personash që ishin identifikuar nga Prokuroria e Kosovës si përgjegjës të tentativës për ta aneksuar veriun e Kosovës në shtator të vitit të kaluar.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 44 personave të tjerë. Ata akuzohen se me dhunë e me armatim të rëndë tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore dhe t'ia bashkonin Serbisë.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale si "Kryerja e veprës terroriste", "Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit" si dhe "Shpëlarja e parave".
Sipas aktakuzës, shteti i Serbisë ia vuri në dispozicion grupit të Radoiçiqit infrastrukturën ushtarake dhe i ofroi armë.
Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte vrarë nga ky grup terrorist më 24 shtator 2023 në një pritë në Banjskë. Ndërsa në aksionin pasues, nga përballja e Policisë me grupin, u vranë tre sulmues derisa pjesa dërrmuese e tyre u arratisën./aa