Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës" dhe me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Protesta e 27-të është organizuar nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia e Lirisë (PL), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve.
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se "nuk do të dorëzohemi kurrë". "Ne nuk e lëmë në baltë Shqipërinë, Tiranën dhe qytetarët", tha Balliu.
Zëvendëskryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe përfaqësuesi i PD-së, Dorjan Teliti, theksoi se protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e objektivit të tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, në fjalën e tij theksoi se nuk ka fuqi në botë që "na ndalon për të bërë drejtësi".
"Është koha të reagojmë fuqishëm, pa u trembur, pa frikë. Nuk ka fuqi në botë që pengon popullin të bëjë drejtësi në këtë vend", u shpreh ndër të tjera Blushi.
Pjesë e protestës ishin edhe deputetë të partive opozitare, ndërkohë fjalime mbajtën edhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare dhe aktivistë.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan dhjetëra forca policore para godinës së Bashkisë së Tiranës, ndërkohë nuk u shënuan tensione.
Në Shqipëri në muajit e fundit janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërsa disa protesta janë shoqëruar edhe me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive"./aa