Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ka deklaruar se Serbia nuk është shërbëtore e Rusisë apo SHBA-së dhe se vendi ka politikën dhe interesat e saj.

“Ata që sulmuan Serbinë u përpoqën të kapin një pjesë të territorit të saj dhe këtë po përpiqen ta bëjnë edhe sot. Po ju pyes, të dashur përfaqësues dhe miq, çfarë mund të bëjmë ne si vende të vogla liridashëse sot në botë? Të gjithë flasin për Ukrainën, askush nuk lejohet të flasë për Serbinë. Ne nuk jemi shërbëtorë të Rusisë apo SHBA-së, ne kemi politikën dhe interesat tona”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se kutia e Pandorës nuk u hap me sulmin ndaj Ukrainës.

Më tej, ai pyeti se pse liderët e fuqive të mëdha flasin për nevojën që Ukraina të jetë e lirë, të respektojë OKB-në dhe statutin e saj, por nuk respektojnë kartën dhe rezolutën 1244 kur flitet një fjalë për integritetin territorial të Serbisë.

Rezoluta 1244 i dha autoritetin OKB-së në Kosovë, duke çuar në vendosjen e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), duke përfshirë trupat turke.

Vuçiq tregoi një dokument që thoshte “Askush nuk mund të ketë forcë të armatosur në territorin e Kosovës, përveç KFOR-it”.

Ai tha se "ne jemi një komb i matur".

"Por për shkak të fanatizmit, nuk ka drejtësi për serbët në Kosovë. Kjo kërcënon jetën e përditshme të serbëve dhe banorëve të tjerë jo-shqiptarë", tha ai.

“Si mund të ketë paqe në Kosovë nëse të drejtat e një populli kërcënohen”, pyeti Vuçiq.

"Serbia është një vend i vogël, i cili nuk mund të konkurrojë me fuqitë e mëdha, por ne kemi një detyrim ndaj popullit tonë. Meqenëse të gjithë të tjerët nuk janë të interesuar për të vërtetën, Serbia e vogël mbetet e përkushtuar për përparimin, për të parë nga e ardhmja, për të pritur momentin kur në skenën politike botërore të kthehen parimet e respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Ne do të mbetemi të përkushtuar për dialogun me Prishtinën nën patronazhin e BE-së, do të luftojmë për të ruajtur paqen. Vetëm një gjë nuk do t'ia japim askujt, ajo është liria dhe pavarësia e Serbisë", tha Vuçiq./aa