Izraeli po përgatitet për një "operacion të mundshëm tokësor" kundër Libanit, derisa përshkallëzimi me grupin Hezbollah vazhdon të rritet.
Transmetuesi publik KAN tha se ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, u takua dje me ushtarë që stërviten për një skenar të ndërhyrjes tokësore në Liban.
Duke e komentuar takimin e ministrit Gallant me ushtarët, media izraelite raportoi se "Izraeli po përgatitet për një operacion të mundshëm tokësor në Liban, derisa përgatitjet e tij vazhdojnë".
Deri më tani, nuk është prononcuar ushtria izraelite mbi raportin në fjalë.
Izraeli ka nisur valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse në Liban që nga mëngjesi i të hënës, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, duke vrarë të paktën 570 njerëz dhe duke plagosur mbi 1.800 të tjerë.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila që nga tetori i vitit të kaluar ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato zgjojnë spektrin e përhapjes së konfliktit të Gazës në rajon./aa