Kompania ajrore turke "AJet" ka filluar fluturimet drejt qytetit Tuzla të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, mori pjesë në fluturimin e parë të AJet nga Aeroporti Sabiha Gökçek i Istanbulit për në Aeroportin e Tuzlës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në ceremoninë e zhvilluar me rastin e këtij fluturimi.

Në fjalën e tij të rastit, Uraloğlu shprehu ngushëllime për të vdekurit nga përmbytjet në Tuzla dhe u uroi shërim të shpejtë të lënduarve, duke shtuar se do të vazhdojnë të jenë gjithmonë miq me Bosnjë dhe Hercegovinën, në kohë të vështira dhe në kohë të mira.

Duke kujtuar se Bosnja dhe Hercegovina ndihmoi përpjekjet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve të 6 shkurtit 2023 në Türkiyen lindore, Uraloğlu tha:

"Ju falënderoj shumë për këtë. Gjatë fatkeqësisë së përmbytjeve këtu, TIKA, Gjysmëhëna e Kuqe dhe AFAD po punojnë shumë për të siguruar ushqim dhe ujë të pastër për vëllezërit dhe motrat tona këtu. Shpresoj të ndalen sulmet çnjerëzore në Gaza, Paletsinë, që i mbushën një vit, sa më shpejt të jetë e mundur dhe unë i dënoj këto sulme. Ju e kuptoni më së miri këtë, ku u përjetua një masakër midis viteve 1992 dhe 1995, rreth 100 mijë njerëz u vranë dhe më shumë se 2 milionë njerëz u zhvendosën. Presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan ka ndërmarrë iniciativat e nevojshme në çdo platformë për t'i dhënë fund sa më parë këtyre sulmeve dhe vazhdon ta bëjë këtë. Ashtu si autorët gjenocidalë të gjenocidit të Srebrenicës u gjykuan dhe u dënuan, edhe autorët e gjenocidit në Gaza patjetër do të gjykohen dhe dënohen një ditë".

 

- "Do të ketë fluturime në 349 destinacione nga Türkiye"

Duke u shprehur se Türkiye ka një marrëdhënie dhe miqësi të gjatë me Bosnjë dhe Hercegovinën, Uraloğlu tha se janë të vendosur ta vazhdojnë këtë.

Uraloğlu tha se mjafton vetëm të shikojmë të kaluarën për të kuptuar marrëdhëniet e ardhshme.

"AJet filloi fluturimet e saj më 31 mars dhe sot jemi në Tuzla. Natyrisht, nuk mund të neglizhonim qytetin e Tuzlës në Bosnjë, duhet të vinim edhe këtu. Türkiye mund të arrijë në 67 shtete prej vendnodhjes së saj me një kohë fluturimi prej katër orësh, ne veprojmë me qasjen se 'Nuk do të ketë asnjë pikë në botë që nuk e kemi arritur, jo vetëm në gjeografinë tonë të afërt'. Sot, ne fluturojmë nga Türkiye në 347 destinacione të ndryshme në 131 shtete. Do ta rrisim këtë në 349 deri në fund të vitit. Së fundmi kemi vënë në punë 12 linja në fluturimet e brendshme të vendit tonë. Që nga 1 tetori, AJet nisi shtatë linja të reja ndërkombëtare dhe sot nisëm të tetën për në Tuzla. Unë besoj se fluturimet Istanbul-Tuzla do të përmirësojnë marrëdhëniet dhe tregtinë midis dy vendeve".
 

- "Do të kemi fluturime reciproke të hënën"

Drejtori i përgjithshëm i AJet, Kerem Sarp, tha se me këtë fluturim ndërtuan një urë tjetër mes Türkiyes dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, dy vende miqësore dhe vëllazërore.

Ai vuri në dukje se me hapat që ndërmarrin si institucion, luajnë një rol në forcimin e lidhjeve mes vendeve, forcimin e miqësisë mes popujve dhe zhvillimin e tregtisë.

"Me flotën tonë të modernizuar prej 85 avionësh, ne transportojmë pasagjerët tanë në një total prej 95 destinacionesh, 41 në Türkiye dhe 54 në 32 vende. Ne synojmë ta rrisim këtë në 44 vende dhe 113 qytete në dhjetë vjet. Si AJet, ne kemi hapur linjën e dytë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Fluturojmë për në Sarajevë shtatë herë në javë. Me linjën të cilën e hapëm sot do të kemi fluturime reciproke në linjën Sabiha Gökçen-Tuzla njëherë në javë (të hënën)".

Kryetari i Kantonit të Tuzlës, Irfan Halilagiq, u shpreh i kënaqur me delegacionin nga Türkiye, të cilën tha se e shohin si vend mik dhe vëlla. Duke thënë se fillimi i fluturimeve të AJet për në qytetin e tyre është i rëndësishëm për banorët e Tuzlës, Halilagiq theksoi se ardhja e kompanisë në qytetin e tyre do të ndërmjetësojë bashkëpunime të rëndësishme./aa