Hezbollahu në Liban njoftoi se ka goditur selinë e agjencisë izraelite të inteligjencës "Mossad" në Tel Aviv me një raketë balistike ndërsa Izraeli tha se raketa ishte bllokuar.

Në deklaratën e Hezbollahut në Telegram thuhet se selia e Mossad-it në periferi të Tel Avivit është shënjestruar sot në orën 06:30 të mëngjesit me raketën balistike të tipit "Kadir 1".

Në deklaratë thuhet se selia e shënjestruar e Mossad-it "ishte përgjegjëse për vrasjen e figurave të larta të Hezbollahut kohët e fundit dhe shpërthimin e pajisjeve të komunikimit në të gjithë Libanin".

Hezbollahu tha se ky sulm është kryer "për të mbështetur rezistencën në Rripin e Gazës dhe për të mbrojtur Libanin dhe popullin e tij". Izraeli, i cili ka rreth një vit që vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, po i shton çdo ditë një hallkë të re zinxhirit të atentateve kundër komandantëve të lartë të Hezbollahut, i cili vazhdon përleshjet e kontrolluara në vijën kufitare Liban-Izrael.

Në sulmet e Izraelit u vranë Fuad Shukr i cili është "këshilltari i lartë i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i ngarkuar me çështjet ushtarake" dhe i përshkruar si "krahu e djathtë" i tij, Ibrahim Akil, një nga komandantët e Forcës Ridvan, i cili thuhet se është numri dy i krahut ushtarak të Hezbollahut, dhe Ibrahim Mohammed Kubeysi, "kreu i sistemeve raketore të Hezbollahut".

- Paralajmërimi nga Izraeli: Mos u ktheni në shtëpitë tuaja

Ushtria izraelite paralajmëroi ata që emigruan nga jugu i Libanit, ku prej dy ditësh i ishte nënshtruar sulmeve ajrore intensive, "të mos kthehen në shtëpitë e veta".

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha: "Sulmet e ushtrisë izraelite vazhdojnë. Për sigurinë tuaj, mos u ktheni në shtëpitë tuaja deri në një njoftim të dytë".

 

- Izraeli vrau 558 njerëz në Liban

Ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek, që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit.

Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se në sulmet e Izraelit janë vrarë 558 persona, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra ndërsa 1.835 të tjerë u plagosën.

Vala e migrimit vazhdon nga rajonet jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut./aa