Debatet kanë qenë kryefjala e mbledhjes së këshillit bashkiak Durrës. Të majtët dhe të djathtë kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me marrëveshjen mes Bashkisë Durrës dhe Agjencisë së Kadastrës për procesin e legalizimit.

Miratimi i njësisë së legalizimit në mbledhjen e muajit korrik dhe punësimi i 20 specialistëve, që do të merren me këtë proces është cilësuar nga të djathtët si tentativë për të ndikuar në procesin elektoral të vitit të ardhshëm.

“Po e kërkoni 1 vit kontratë me Kadastrën që njerëzit të përplasen në dyert e bashkisë”, kanë thënë Dritan Burgija.

Ndërsa këshilltarët e majtë akuzuan qeverinë Berisha për kaosin me procesin, duke e vënë theksin te vështirësinë që e karakterizojnë finalizimin e tij.

Aktualisht, në Durrës janë mbi 15 mijë dosje legalizimesh, që pritet të shqyrtohen në Kadastër.

Gjatë fjalës së saj, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se krijimi i njësisë së legalizimit pranë bashkisë Durrës dhe marrëveshja me ASHK i jep pushtetit vendor një rol koordinues dhe menaxhues të procesit.

Kjo pikë e rendit të ditës u miratua vetëm me votat e të majtëve, pasi 9 këshilltarët e djathtë të pranishëm në mbledhje shprehën mosdakordësinë e tyre duke votuar kundër./BalkanWeb