Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratik Flamur Noka, u takuan ditën e djeshme ku u diskutua në lidhje me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, pasi mes aleatëve opozitarë, do duhet të përcaktohen modalitetet se si do të përbëhen listat zgjedhore.

BalkanWeb raportoi se diskutimet u përqendruan në faktin se sa kandidatë të PL-së do të jenë në listat e Partisë Demokratike.

Ndërkohë, kreu i PD Sali Berisha, në një dalje për mediat, ka dhënë detaje nga takimi, duke bërë me dije se diskutimet janë përqendruar në aksionin opozitar dhe protestat.

“Janë diskutime, nuk ka një projekt të dorëzuar. Diskutimet janë të përqendruara te protestat dhe kërkesat për qeveri teknike”, tha ai.

Kujtojmë se kreu i PL, i pyetur ditën e djeshme nëse do të kandidonte në listat e PD, u shpreh se do të preferonte të kandidonte në Tiranë me logon dhe siglën e PL./BalkanWeb