Rezultati i lirisë ekonomike në Shqipëri vlerësohet në 64.8 pikë, duke e renditur kështu në vend të 48-të, nga 176 vende në total, në Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2024, i publikuar nga “Heritage Foundation”. Vlerësimi është ulur me 0.5 pikë nga viti i kaluar, dhe Shqipëria renditet e 27-ta nga 44 vende në të gjithë rajonin e Europës. Sipas të dhënave, rezultati i lirisë ekonomike në vendin tonë është më i lartë se mesatarja botërore, por më e ulët se mesatarja europiane. Ekonomia e Shqipërisë konsiderohet nga raporti si vend “mesatarisht e lirë”.
Llogaritja e këtij treguesi bazohet në katër shtylla kryesore që lidhen me kornizat ligjore, qeverisjen, tregun e hapur dhe efiçencën. Sipas raportit, Shqipëria ka performuar më mirë sa i përket tregut të hapur dhe rregjullatorit të efiçencës. Ndërkohë, nga ana tjetër, probleme vërehen në aspektin ligjor. Rezultati relativisht i ulët i Shqipërisë vërehet për të drejtat e pronësisë dhe është kryesisht rezultat i ndërhyrjes politike në gjyqësor që përkeqësohet nga korrupsioni i vazhdueshëm.
Efikasiteti i sistemit rregullator është lehtësuar nga një thjeshtësim i gjerë i procedurave të biznesit, ndërsa investimet e huaja direkte paraqiten në nivele të kënaqshme vitet e fundit duke prekur rekorde.
Nëse e krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit shohim se kryesojmë renditjen. Pas vendit tonë vjen në renditje Serbia, pasuar nga Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi në fund të renditjes./Scan