Shpesh në vitet e fundit, konsumatori po joshet me reklama kredie që paraqiten si zgjidhje për çdo problem financiar apo për të plotësuar çdo dëshirë pa kokëçarje, veçanërisht nga institucionet e mikrofinancës.

Reklamat e paraqesin kredinë si një zgjidhje të lehtë për këdo, pa sjellë asnjë vëmendje për kostot e kredisë apo paralajmërim mbi nevojën për huamarrje të përgjegjshme, në përputhje me mundësitë e huamarrësve për t’i shlyer detyrimet e tyre.

Një publicitet jo plotësisht i sinqertë po ndodh edhe me reklamat e depozitave bankare, ku premtohen, për shembull, interesa deri në 8%. Në fakt, reklama jep vetëm një informacion të pjesshëm dhe norma e interesit 8% i takon një segmenti të shkurtër kohor të afatit të depozitës.

Nëse vite më parë norma maksimale për këto lloj depozitash arrihej në vitin e fundit, tashmë bankat e kanë fragmentuar interesin progresiv në tremujorë. Zakonisht, interesi i premtuar në reklamë është i vlefshëm në tremujorin e fundit të depozitës, ndërsa interesi mesatar për të gjithë periudhën është shumë larg atij maksimal.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, që synojnë të vendosin disa rregulla strikte në përmbajtjen e reklamave dhe materialeve të tjera promocionale të institucioneve financiare.

Dokumenti i rishikon tërësisht rregullat e lidhura me marketingun dhe reklamën e bankave dhe institucioneve financiare.

Në reklamat ose materialet promocionale për kreditë, bankat (ose institucionet e tjera financiare) duhet të përfshijnë një paralajmërim të qartë dhe të dukshëm, për të ndërgjegjësuar kredimarrësin se huamarrja kushton para, duke përdorur formulimin “Kujdes! Huamarrja e parave kushton para” ose një formulim të ngjashëm me të.

Projektregullorja parashikon se banka duhet të njoftojë Bankën e Shqipërisë për çdo reklamë apo material promocional, përpara botimit apo publikimit nëpërmjet medias së shtypur ose elektronike. Banka e Shqipërisë do të shqyrtojë reklamën apo materialet promocionale, brenda 15 ditë pune nga momenti i dërgimit.

Banka e Shqipërisë do të ndalojë reklamën apo materialet promocionale nëse ato do të përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të bankës; krahasime ndërmjet bankave të ndryshme që ofrojnë të njëjtat produkte apo shërbime, që vënë në disavantazh banka të tjera; shprehje si “rezultat i garantuar”, “banka më e mirë”, “kosto më e ulët”, “kosto zero”, “më e lartë/më e ulët/më e mira në treg”, “ne ju rimbursojmë”, “ne paguajmë për ju”, “ofertë” etj., ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për fitime/rezultate të sigurta apo për kosto të ulëta.

Gjithashtu, bankat nuk do të lejohen të reklamojnë produkte kredie që inkurajojnë konsumatorët të kërkojnë kredi, duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të këtyre konsumatorëve; specifikojnë se shumat e papaguara (tepricat) të kredisë kanë pak ose aspak ndikim në vlerësimin e një aplikimi të ri për kredi; sugjerojnë në mënyrë të rreme se kredia çon në një rritje të burimeve financiare, përbën një zëvendësues për kursimet ose mund të rritë standardet e jetesës së një konsumatori; theksojnë lehtësinë ose shpejtësinë me të cilën mund të merret kredia; deklarojnë se një zbritje është e kushtëzuar me marrjen e kredisë; ofrojnë periudha faljeje (grace) më shumë se tre muaj për shlyerjen e kësteve të kredisë.

Në rastet kur konstaton se nuk janë respektuar kërkesat e parashikuara, Banka e Shqipërisë i kërkon bankës të ndalojë menjëherë publikimin dhe të korrigjojë përmbajtjen, duke kërkuar ndryshime ose përfshirjen e informacioneve shtesë.

Materiali i ndryshuar do të dërgohet përsëri për rishqyrtim dhe gjatë kësaj periudhe banka nuk mund të vijojë me publikimin, shpërndarjen apo botimin e publikimeve në fjalë.

Projektrregullorja madje përcakton edhe madhësinë minimale të shkrimit që duhet të ketë teksti, sipas llojit të materialit promocional.

Në reklamat ose materialet promocionale për depozitat, bankat duhet të përfshijnë me anë të një shembulli përfaqësues informacionin standard i cili përmban një listë të detyrueshme me elemente, si emrin e plotë të bankës, adresën, faqen zyrtare të internetit, numrin e telefonit, si dhe të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e bankës; normën vjetore të interesit të depozitës; normën e interesit mesatar, nëse ka më shumë se një normë interesi të paguar gjatë afatit të depozitës; afatin e depozitës; kushtet e zgjedhura nga klienti për rinovimin e depozitës me afat; kushtet e zgjidhjes para afatit të përfundimit të kontratës; penalitetet e aplikueshme në rastin e zgjidhjes para afatit të përfundimit të kontratës.

Në reklamat ose materialet promocionale për kreditë, bankat (dhe institucionet e tjera financiare) duhet të përfshijnë me anë të një shembulli përfaqësues informacionin standard i cili përmban detyrimisht elementë, si emrin e plotë të bankës, adresën, faqen zyrtare të internetit, numrin e telefonit, si dhe të dhëna të tjera që shërbejnë për identifikimin e bankës; normën e interesit të kredisë, fikse ose variabël ose të dyja, së bashku me të dhënat mbi çdo komision apo tarifë të përfshirë në koston totale të kredisë për kredimarrësin; vlerën totale të kredisë; normën efektive të interesit, e cila duhet të përfshihet në reklamë në mënyrë aq të dukshme sa edhe norma e interesit të kredisë; ku është e aplikueshme, kohëzgjatjen e kontratës së kredisë; në rastin e një kredie në formën e një pagese të shtyrë, për një mall ose shërbim të veçantë, çmimin në para dhe shumën e çdo paradhënieje; ku është e aplikueshme, shumën totale të pagueshme nga konsumatori dhe vlerën e kësteve; një paralajmërim në lidhje me pasojat e mundshme të luhatjes së kursit të këmbimit në shumën e pagueshme nga kredimarrësi (nëse është e aplikueshme); aty ku është e aplikueshme, garancitë apo siguritë e nevojshme, në formën e një hipoteke mbi një pasuri ose të një garancie tjetër. Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2025.

Propozimet e BSH-së “revoltojnë” institucionet financiare

Projektrregullorja e propozuar nga Banka e Shqipërisë ka shkaktuar pakënaqësi të shumta mes subjekteve të saj, duke përfshirë bankat dhe institucionet financiare jobanka.

Të kontaktuar nga “Monitor”, përfaqësues të këtyre subjekteve shprehen se kufizimet drastike në përmbajtjen e reklamave dhe kërkesat strikte për të miratuar çdo material promocional në Bankën e Shqipërisë do të krijojnë probleme të mëdha në marketingun e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Megjithatë, organizatat përfaqësuese të këtyre institucioneve shprehen se do t’i adresojnë konkretisht vërejtjet e tyre ndaj projektrregullores në Bankën e Shqipërisë dhe për momentin nuk preferojnë t’i përcjellin publikisht komentet e tyre./Monitor