Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës një skandal në Lezhë, ky disa qytetarë janë kërcënuar me jetë nga disa nëpunës shtetërorë, të lidhur me një familje në atë zonë.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan Arben Staka dhe Luigj Leka, të cilët denoncuan në polici veprimet e drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Kadastrës së Lezhës për regjistrimin e një prone.

Por, dy orë pas kallëzimit, një prej denoncuesve, Arben Staka, është telefonuar nga e veja e Ardian Nikulajt, i cili humbi jetën 1 vit më parë, për ta takuar në lokalin e saj në Shëngjin.

Në këto ambiente Arbeni takon drejtorin e Kadastrës, Aris Mema dhe ish-drejtorin Gentian Malotaj dhe i kërkohet që të tërheqë kallëzimin.

Pas këtij skandali ka reaguar Agjencia Shtetërore e Kadastrës e cila ka shkarkuar zyrtarët e Kadastrës së Lezhës.

Njoftimi i ASHK-s:

Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënon me forcë rastin e denoncuar nga emisioni “Fiks Fare” mbrëmjen e së martës.

Institucioni ynë distancohet plotësisht nga veprimet e nëpunësve të përfshirë të cilët janë shkarkuar menjëherë nga detyra.

Inkurajojmë organet ligjzbatuese të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të ndjekin me përpikmëri procedurat ligjore për të zbardhur plotësisht çështjen, duke sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

ASHK mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve, duke siguruar transparencë dhe integritet në shërbimet tona për qytetarët./Dita