Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se vendi i tij rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore nëse ndodh sulm ndaj Bjellorusisë fqinje, aleatit të saj në luftën kundër Ukrainës.
“Ne rezervojmë të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast agresioni kundër Rusisë ose Bjellorusisë”, tha Putin gjatë një takimi të Këshillit rus të Sigurisë në Moskë në lidhje me parandalimin bërthamor, duke sinjalizuar se kjo çështje është rënë dakord me Minskun.
Duke pretenduar këtë të drejtë, Putin përmendi Bjellorusinë si anëtar të Shtetit të Unionit që të dy vendet e themeluan në bazë të një traktati të vitit 1999, sipas të cilit ata kanë punuar për t’u afruar, proces ky që është përshpejtuar vitet e fundit.
Putin tha se një numër sqarimesh për doktrinën bërthamore të Rusisë janë propozuar pas punës nga ministria e mbrojtjes dhe e jashtme e vendit, si dhe departamente të tjera, gjatë vitit të kaluar.
Ai tha se në versionin e përditësuar të doktrinës, “agresioni” kundër Rusisë nga çdo shtet jobërthamor, me pjesëmarrjen ose mbështetjen e një vendi bërthamor, do të konsiderohet një sulm i përbashkët ndaj Moskës.
“Kushtet për kalimin e Rusisë në përdorimin e armëve bërthamore janë gjithashtu të përcaktuara qartë. Ne do ta shqyrtojmë këtë mundësi pas marrjes së informacionit të besueshëm për një gjuajtje masive të armëve sulmuese ajrore dhe hapësinore dhe kalimin e tyre të kufirit tonë shtetëror”, shtoi Putin.
Deklaratat erdhën pasi Ukraina thuhet se ka ushtruar presion ndaj SHBA-së për ta lejuar atë të kryejë sulme më thellë në territorin rus, ndërsa ajo vazhdon të luftojë në luftën që Moska nisi kundër saj mbi dy vjet e gjysmë më parë.
Në vitin 2020, Putin foli mbi atë se kur Moska mund të përdorte arsenalin e saj bërthamor pasi nënshkroi një urdhër ekzekutiv mbi politikën e saj të parandalimit bërthamor.
Doktrina i lejon Moskës të përdorë armë bërthamore me kushtin e një sulmi bërthamor nga një armik ose një sulmi konvencional që kërcënon ekzistencën e Rusisë.
Në fillim të këtij muaji, zëvendësministri i Jashtëm Sergej Ryabkov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tass se puna për përditësimin e doktrinës bërthamore të vendit është në një “fazë të avancuar” dhe se ekziston një “direktivë e qartë për të bërë rregullime”./aa