Një fotoreporter që punonte për stacionin televiziv lokal "Al-Manar" është vrarë në një sulm ajror izraelit në jug të Libanit.
Televizioni "Al-Manar" njoftoi për vdekjen e fotoreporterit Kamel Karaki në sulmin izraelit që shënjestroi qytetin e tij të lindjes Qantara. Vrasja e tij erdhi një ditë pasi Hadi al-Sayyed, gazetar i televizionit "Al-Mayadeen", u vra në një sulm izraelit në shtëpinë e tij në jug të Libanit.
Të paktën 23 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në valën e re të sulmeve ajrore izraelite gjatë ditës së sotme anembanë Libanit. Që nga mëngjesi i të hënës, ushtria izraelite ka goditur disa zona në Liban në mes të një përshkallëzimi të luftës ndërkufitare me grupin Hezbollah.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 581 persona janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 1.800 të tjerë janë plagosur. Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës, ku që nga tetori i kaluar janë vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, pasi ato ngjallin spektrin e përhapjes së konfliktit të Rripit të Gazës në rajon./aa