Kremlini u ka bërë thirrje qytetarëve rusë në Liban që të largohen nga vendi për arsye të sigurisë në mes të sulmeve ajrore izraelite.
Në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ambasada ruse dhe misionet e tjera diplomatike në Liban po punojnë për të informuar rreth 3 mijë qytetarë rusë që qëndrojnë në Liban për paralajmërimet dhe rekomandimet ekzistuese.
"Tani po merren të gjitha masat për t’u rekomanduar qytetarët tanë që të largohen sa më parë nga territori i Libanit, duke shfrytëzuar mundësitë e disponueshme të transportit tregtar. Kjo është e nevojshme për të garantuar sigurinë e këtyre qytetarëve", tha Peskov.
Izraeli ka nisur një valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse në Liban që nga mëngjesi i të hënës, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, duke vrarë të paktën 570 njerëz dhe duke plagosur mbi 1.800 të tjerë.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë..
Forcat izraelite intensifikuan sulmet e tyre në Liban, duke injoruar paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar se ata do të rrezikonin përhapjen e konfliktit të Gazës në rajone të tjera.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, Peskov tha se Rusia ndjek agjendën e saj dhe se votuesit amerikanë duhet të shqetësohen për këtë çështje dhe jo Moskën.
"Lufta politike është shumë e ashpër. Por më besoni, kjo nuk është çështja numër një për ne", tha ai.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor, ku Donald Trump kandidon për president nga radhët e republikanëve, ndërsa Kamala Harris nga radhët e demokratëve./aa