Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka themeluar një punëtori të rrobaqepësisë për fëmijët me dëmtime në dëgjim dhe në të folur, në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren.

Në ceremoninë e hapjes së këtij projekti morën pjesë Ambasadori i Republikës së Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, Koordinatorja e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, Fulya Aslan, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, shefi i delegacionit turk, kolonel Zafer Sağlam, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës Arbërie Nagavci, si dhe zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend, mësues dhe nxënës.

Ceremonia nisi me prerjen e shiritit të hapjes së punëtorisë së rrobaqepësisë nga të ftuarit.

Ambasadori Angılı në fjalën e tij tha se po bëhen investime në arsim për ta bërë botën një vend më të bukur.

Angılı shprehu besimin e tij se fëmijët që do të mësojnë në punëtorinë e themeluar të rrobaqepësisë, do të kenë një profesion që do ta duan në të ardhmen.

"Unë sinqerisht shpresoj që të gjithë ata të realizojnë ëndrrat e tyre. Nëse ne mund të kontribuojmë në këtë, kjo do të jetë burimi më i madh i lumturisë për ne, sepse Kosova dhe Türkiye janë vëllezër”, tha ai.

Në fjalën e saj, ministrja Nagavci falënderoi TIKA-n për mbështetjen me pajisjet që do të kontribuojnë në procesin profesional të nxënësve që studiojnë në shkollën për personat me dëmtime të dëgjimit dhe të folurit “Nenë Tereza”.

Koordinatorja e TİKA-s, Aslan, tha se në kuadër të programit ata bënë projekte dhe krijuan klasa dhe punëtori të edukimit special për të përmirësuar kushtet arsimore të individëve që kanë nevojë për arsim special.

Duke theksuar se kanë ndërmarrë projekte shumë të rëndësishme në Kosovë në këtë kontekst, Aslan tha se “Këtë punëtori e kemi pajisur me makineri dhe mobilje të përshtatshme për përdorim industrial”.

“Me projektin që kemi realizuar, personat me dëmtime të dëgjimit dhe të folurit që shkollohen këtu do të mund të fitojnë aftësi profesionale dhe të hyjnë në jetën profesionale të biznesit”, tha ajo.

Aslan shtoi gjithashtu se me projektet që realizojnë synojnë të rrisin vetëbesimin e individëve që kanë nevojë për arsim special, të bëhen individë produktivë dhe të sigurojnë integrimin e tyre në shoqëri.

Pas fjalimeve, të ftuarit vizituan punëtorinë dhe panë nga afër disa punime të nxënësve./aa