Agjencia Shtetërore e Kadastrës dënoi sot me forcë rastin e transmetuar dje në një emision investigativ, ku u denoncua fakti se disa qytetarë në Lezhë janë kërcënuar nga disa nëpunës të degës së Kadastrës në këtë qytet.
Sipas emisionit investigativ, kërcënimet kanë ardhur pas denoncimit në polici nga ana e qytetarëve, të regjistrimit të një prone.
“Institucioni ynë distancohet plotësisht nga veprimet e nëpunësve të përfshirë të cilët janë shkarkuar menjëherë nga detyra”, thuhet në njoftimin e ASHK-së.
ASHK inkurajon organet ligjzbatuese të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të ndjekin me përpikmëri procedurat ligjore për të zbardhur plotësisht çështjen, duke sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
“ASHK mbetet e angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve, duke siguruar transparencë dhe integritet në shërbimet tona për qytetarët”, përfundon njoftimi për shtyp./ata