Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se me Skemën Kombëtare të Investimeve 2024, fermerët kanë mundësinë të përfitojnë mbështetje për ndërtimin e ambienteve të mbarështimit të kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve.
Denaj theksoi se kjo masë siguron kushte moderne për zhvillimin e prodhimit blegtoral.
“Kriteret për të përfituar nga kjo skemë janë që fermerët të kenë: të paktën 10 lopë; të paktën 100 të imta; të paktën 10 dosa; të paktën 10 mijë shpendë. Masa e përfitimit do të jetë 50% e vlerës totale, deri në 15 milionë lekë për subjekt”, u shpreh Denaj.
Ministrja theksoi se “aplikimet hapen së shpejti dhe me këtë mbështetje fuqizohet sektori, duke ofruar siguri për fermerët dhe duke rritur kapacitetet prodhuese të vendit për një treg konkurrues”.
“Investimi në infrastrukturë moderne është një angazhim për përmirësimin e kushteve të mbarështimit të bagëtive dhe shpendëve, duke rritur sigurinë për prodhimet ‘Made in Albania’. Më pranë fermerëve në çdo hap”, tha Denaj./ata