Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Beqiroviq, deklaroi se vuajtjet e civilëve dhe fëmijëve palestinezë janë të tmerrshme dhe se Gaza është një disfatë e rëndë e njerëzimit në shekullin e 21-të.
Beqiroviq iu drejtua pjesëmarrësve në diskutimet e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në fjalën e tij, Beqiroviq tha se Bosnjë dhe Hercegovina është një vend që ka ekzistuar me shekuj, duke shtuar: “Bosnjë dhe Hercegovina nuk u formua me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të nënshkruar në vitin 1995, e cila i dha fund luftës në vend. Kjo marrëveshje vetëm konfirmoi vazhdimësinë e Bosnjë dhe Hercegovinës. Këto janë fakte të padiskutueshme historike”, tha ai.
Duke deklaruar se vendi i tij po bën hapa të fortë përpara në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO, Beqiroviq tha: “Për fat të keq, ne jetojmë në një botë ku mbizotëron padrejtësia, mosbesimi dhe intoleranca. Qeniet njerëzore nuk janë ndier kurrë të pasigurt si sot”.
Duke theksuar se konfliktet në Ukrainë dhe Gaza e kanë tërhequr njerëzimin në një krizë dhe pasiguri të thellë, Beqiroviq tha: “Është koha të themi se jeta e njeriut është më e rëndësishme se armët”.
“Unë përsëris edhe një herë mbështetjen tonë për integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës. Vuajtjet e civilëve dhe fëmijëve palestinezë janë të tmerrshme. Gaza është një disfatë e rëndë e njerëzimit në shekullin 21. Çdo jetë njerëzore ka vlerë të barabartë”, tha ai, duke rikujtuar se edhe vendi i tij përjetoi luftë në vitet 1992-1995.
Ai po ashtu theksoi se Bosnjë dhe Hercegovina ishte i vetmi vend në Evropë ku ndodhi gjenocid pas Luftës së Dytë Botërore. “Pavarësisht gjithçkaje që ndodhi, njerëzit në vendin tim duan paqe dhe bashkëpunim. Ne mbrojmë humanizmin dhe solidaritetin. Bosnjë dhe Hercegovina është një histori shprese, guximi dhe uniteti”, shtoi kreu u Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës./aa