Nënkomiteti për Ekonominë, Çështjet Financiare dhe Statistikat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian zhvilloi mbledhjen e 16-të, në Tiranë, ku pala shqiptare u kryesua nga zëvendësministrja e Financave, Adela Xhemali ndërsa delegacioni i BE-së u kryesua nga drejtori i Njësisë për vendet kandidate në DG ECFIN, Uwe Stamm.

Në hapje të takimit, zëvendësministrja theksoi rëndësinë e nënkomitetit duke e cilësuar zhvillimin e tij në një moment kritik, ku Shqipëria vazhdon angazhimin në përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për implementimin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në BE.

“Ky takim vjetor shërben si një dëshmi e partneritetit dhe vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë brenda komunitetit europian”, tha ajo.

Në vijim, zëvendësministrja ndau një informacion të përgjithshëm në lidhje me zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, përfshirë këtu edhe rritjen ekonomike të vendit.

Më konkretisht, përfaqësuesit e palës shqiptare diskutuan mbi zhvillimet dhe perspektivat më të fundit gjatë kësaj periudhe lidhur me çështjet ekonomike, monetare dhe financiare të Shqipërisë, si dhe disa prej sfidave me të cilat është përballur vendi.

Pjesëmarrësit u ndalën në zhvillimet e fundit në forcimin e konkurrueshmërisë, politikave fiskale, politikave monetare, kontrollin e brendshëm financiar publik, menaxhimin e financave publike, auditin e jashtëm, mbrojtjen e interesave financiar të BE, lëvizjen e kapitalit si edhe zhvillimet në fushën e statistikave.

Përfaqësuesit e KE-së vlerësuan zhvillimet në këto fusha, veçanërisht qëndrueshmërinë e ekonomisë përgjatë sfidave të njëpasnjëshme dhe reformat që zbaton Shqipëria./ata