Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u shpreh sot në një konferencë për mediet, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit burg, se është i dënuar politik.
“Unë jam sot një i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të Edi Ramës. Ka shumë interpretime për rrjedhën e ngjarjeve dhe dënimin tim për “kallëzim të rremë”, por vetëm një fakt, vetëm një provë, vetëm një të vërtetë. Më 15 maj 2018 unë kam dalë nga kjo foltore, bashkë me zotin Bardhi dhe zotin Alibeaj, dhe kam publikuar një dokument të gjykatave italiane ku vëllai i ministrit të asokohe, Fatmir Xhafaj, rezultonte i dënuar në Itali me 7.4 vite burg”, tha Salianji.
Gjatë fjalës së tij ai tha se nuk shkon në burg për kallëzim të rremë. “Shkoj në burg si politikan i ri, model i ri që ka dëshmuar me prova përfshirjen e ministrit dhe familjes së tij në narkotrafik”, tha ai.
“Kjo është goditje nën brez për të kënaqur epshet e grupeve kriminale. E di mirë që është e vetmja mënyrë për të thënë se njeriu vlen nëse nuk përkulet, nëse nuk dorëzohet me çdo mjet. Do bëj të njëjtën gjë në këto momente. Përballë do më kenë sot, pas një viti, gjatë këtij viti e kështu për vite me radhë kur këta të rrënohen e rrëzohen”, deklaroi Salianji.
Salianji u shpreh se pas kallëzimit, Geron Xhafaj u kthye në Itali për të vazhduar dënimin.
“Të vënë përballë provave të pakundërshtueshme të një përgjimi të bashkëpunëtorëve të tij dhe presionit të opozitës dhe publikut, Geron Xhafaj, nga i pafajshëm u vetëdorëzua në prokurori dhe u kthye në Itali për të vazhduar dënimin”, tha ai.
“Denoncimi im me fakte që u quajt kallëzim i rremë nga avokatët e tyre, i ndërpreu karrierën politike Fatmir Xhafajt dhe i dëmtoi reputacionin trafikantit ndërkombëtar të drogës. Se për këtë është dënimi”, tha Salianji.
Salianji bëri gjithashtu me dije se, ka firmosur në emër të grupit parlamentar kërkesën e hetimit pasuror ndaj Fatmir Xhafajt./ata