Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot çeljen e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”, një gurthemeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor evropian.

Pas mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian në Luksemburg, kryeministri Rama doli në një deklaratë të përbashkët për mediet me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Rama vlerësoi se çelja e grup-kapitullit të “Themeloreve” sot me 5 kapitujt kryesorë dhe 3 kriteret, përbën një arritje të madhe për të dyja palët, si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në.

“Nuk na duhet një kujtesë e rëndësisë për të qëndruar e punuar së bashku të lidhur nga parimet dhe vlerat që përkufizojnë BE-në. Kjo është veçanërisht e vërtetë në këto kohëra sfiduese kur një mori krizash na janë qasur me nevojën për të qenë më pranë dhe për të qëndruar të gjithë së bashku dhe nevojën e mirëfilltë për t’u përballur me veten dhe kuptuar mënyrën për të ecur para”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, për fat të keq, ishte me “ndihmën” e Vladimir Putinit që ky proces mori një shpejtësi të re, pas agresionit të tij në Ukrainë.

“Ky agresion shërbeu si një zile zgjimi që i kujtoi Evropës që iluzioni i vetëmjaftueshmërisë është vetëm një iluzion dhe të qartësojë në mënyrën më të vështirë, se keni nevojë për Ballkanit Perëndimor, po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha Rama./ata