Intervenimi i fuqishëm qeveritar në të dyja anët e Atlantikut, ka dështuar që të qetësojë së fundi sektorin bankar, mirëpo kancelari gjerman, Olaf Scholz nuk beson se Evropa mund të përballet me krizë.

 

“Nuk shoh rrezik të tillë”, ka thënë kancelari gjerman për të përditshmen gjermane, Handelsblatt.

 

Pavarësisht miliarda dollarëve që janë ndarë nga rregullatorët zviceranë, banka e madhe Credit Suisse është përballur të premten sërish me presion në tregjet e aksioneve.

 

Mbikëqyrësit bankarë të Bankës Qendrore Evropiane kanë thënë se “sektori bankar i euros është i qëndrueshëm”.

 

Scholz ka thënë se nuk pret pasoja për gjermanët, pas falimentimit të Bankës amerikane Silicon Valley, me bazë në Kaliforni, e përcjellë më pas me probleme financiare në Credit Suisse.

 

“Depozitat janë të sigurta”, ka thënë ai për Handelsblatt.

 

“Ne jemi në një periudhë krejtësisht tjetër”, ka thënë ai, duke iu referuar krahasimeve për krizën financiare të vitit 2008.

 

Kriza financiare e vitit 2008 ka nisur fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas është përhapur në botë.

 

Ajo është njohur si kriza më e rëndë financiare prej Depresionit të Madh./REL