Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratikë, Gazment Bardhi i ka drejtuar një kërkesë Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në kërkesë thuhet se, vendimi i Gjykatës së Apelit për dënimin me 1 vit burg të deputetit Ervin Salianji është akt politik.
“Me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë”, thuhet në kërkesë.
Në kërkesë theksohet se, ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.
“Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit””, vijon kërkesa.
Në kërkesë nënvizohet se, këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës.
“Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik. Për këtë arsye, në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, përfundon kërkesa e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratikë, Gazment Bardhi./ata