Deputetët e Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe grupi i deputetëve të Gazment Bardhit zhvilluan sot takimin e katërt.

 

Në fokus të diskutimeve ishin ndryshimet e fundit ligjore në seancën e ardhshme plenare, si dhe çështje të rendit të ditës.

 

Në një komunikim për gazetarët pas mbledhjes, kryetari i Grupimit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha u shpreh se, “kryeministri Edi Rama po përgatit atentatin më të rëndë në historinë 32-vjeçare ndaj pluralizmit pasi kërkon t’i emërojë opozitës përfaqësuesin e saj.

 

“Nga ana tjetër”, shtoi ai, “ka të dhëna se ai po përgatit atentatin më të rëndë në historinë 32-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar, po përgatitet të marrë përsipër përdorimin e votave për t’i emëruar opozitës përfaqësuesin e saj”.

 

“Opozita është e vendosur të qëndrojë në të drejtën e saj si opozitë dhe në mbrojtje të opozitarizmit.  Opozita është e vendosur të qëndrojë në mbrojtje të votës, të të gjithë atyre që votuan kundër kësaj qeverie dhe për opozitën”, tha Berisha.

 

“Në mbledhje u diskutuan dhe çështje të tjera të rendit të ditës. Ranë në ujdi për të gjitha qëndrimet dhe mund të ju them se ishte një mbledhje shumë e frytshme”, u shpreh ai.

 

Gjithashtu, Berisha u shpreh se, “Rezoluta e paraqitur me mocion për Kosovën është hequr nga rendi i ditës së parlamentit me urdhër të Edi Ramës”.

 

“Rezoluta e paraqitur me mocion për Kosovën, të cilën me urdhër të Edi Ramës e kanë hequr nga rendi i ditës, sepse i diskredituar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, ai nuk ka pranon të ketë një diskutim të hapur për situatën jashtëzakonisht shqetësuese në Kosovë, të krijuar nga Beogradi dhe padyshim Rusia”, tha Berisha.

 

Për arrestimin e Milan Radoiçiç, Berisha u shpreh se, “Radoiçiç ka qenë në Serbi dhe ka shumë mundësi që presion i madh ndërkombëtar të ketë detyruar Aleksandër Vuçiç të arrestojë terroristin që ai dërgoi në Banjskë me të gjitha mjetet e ushtrisë për të filluar atë që vetë Vuçiç e quajti, rebelim kundër terrorit imagjinar të Albin Kurtit ndaj komunitetit serb. Ky arrestim është një hap, por ai duhet të sillet të gjykohet në Kosovë, aty ku ka kryer aktin terrorist”.

 

Berisha gjithashtu foli edhe për reformën zgjedhore.

 

Ai tha se, “ne kemi, kemi propozime të shumta. Ne kemi tani në dorë raportin e fundit të OSBE-ODIHR, i cili kësaj here si kurrë ndonjëherë më parë, si pikë të parë ka ndëshkimin e dhunimit masiv të zgjedhjeve, por ka dhe rekomandimet. Kemi specialistët më të mirë në këtë fushë, natyrisht kjo nuk i pëlqen Edi Ramës”.

 

I pyetur se përse duhet të vijojë opozita të qëndrojë në parlament, Berisha tha se, “unë nuk jam që të bojkotohet parlamenti, duhet të vazhdojë betejën e gjithanshme”.

 

Basha kreu i grupit të PD? Bardhi: Ka një rregullore të qartë të parlamentit

 

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pas mbledhjes së deputetëve demokratë, u pyet dhe për zëvendësimin e tij në Parlament nga kreu i PD, Lulzim Basha.

 

Bardhi u shpreh se, “ka një rregullore të qartë të parlamentit. Sa kohë ka rregulla të shkruara ato duhet të zbatohen. Kush merr përsipër të shkelë rregullat për të krijuar opozitë të rremë në parlament, duhet të marrë përsipër pasojat. E kuptoj që interesi i mazhorancës do të ishte që dikush që për një vit e gjysmë nuk ka qenë në parlament të jetë”.

 

“Taulant Balla e ka njohur Lulzim Bashën si kryetar të opozitës, i ka vënë punonjës Garde për ta ruajtur. Prokurorëve që iu rrezikohet jeta nuk sigurohen, ndërkohë që Bashës i ka vënë punonjës Garde. Opozita është e fokusuar në betejë me Edi Ramën”, tha Bardhi.