4 tetori i 2005 për familjen Kaçurri me origjinë nga Puka dhe me banim në Londër është një ditë e shënuar. Në kryeqytetin e Anglisë erdhi në jetë një djalosh shqiptar, që i ati, Pjetri e pagëzoi që në lindje me emrin Maldin.

Padyshim gjithçka lidhet me legjendën e Milanit dhe Italisë, Paolo Maldini. Të shumtë kanë qenë fansat e yllit kuqezi të mbrojtjes, aq sa prindërit shqiptarë kanë zgjedhur për fëmijët e tyre emrin Maldin.

Për Maldin Kaçurrin nuk është thjesht një emër, është një ëndërr që djaloshi po e jeton. I dalë nga moshat e Fulham, gjatë verës së 2022 ishte Per Mertesacker që e afroi të riun te moshat e Arsenalit.

Shtatëlartë (1.84 m), serioz dhe i lindur për të mbrojtur, Kaçurri ra në sytë e drejtorit të akademisë dhe ish-legjendës gjermane të mbrojtjes, që nuk nguroi ta merrte me ekipin e të rinjve.

Këtë verë, falë edhe shiririt në krah për paraqitjet e mira, shqiptari 18-vjeçar u bë pjesë e moshave U-21 të "Topçinjve". Ëndrra për djaloshin ishte pranë dhe për këtë mendoi Mikel Arteta, trajneri i ekipit që e mori në ekipin e parë mbrojtësin.

Spanjolli nuk u mjaftua ta kishte Kaçurrin në stërvitje, por fundjavën e kaluar e mori me vete në stol për ta pasur në derbin kundër Tottenham. Rrjedha e lojës e solli që Kaçurri mos merrte minuta, teksa vetëm pak ditë më vonë ylli shndërriu për të riun me ëndrra.

Në Carabao Cup Arsenali mposhti 5-1 Boltonin dhe në "Emirates" Maldin Kaçurri u fut në fushë në minutën e 70-të duke zëvendësuar Ricardo Calafiorin, italianin për të cilin Arsenali "theu bankën" gjatë verës.

I lumtur u shpreh 18-vjeçarin shqiptar për debutimin me ekipin A të Arsenalit, ndërsa duket një alternativë e mirë për prapavijën e Mikel Artetas. Ndeshja e së mërkurës ishte e para ndër shumë duele që Kaçurri do ketë në elitën e futbollit evropian, ku me pasionin e kthyer në profesion po ngjit një nga një shkallët në ekipin e "Topçinjve".

Gjatë tetorit Kaçurri mund të marrë një tjetër "dhuratë". Sylvinho me të gjitha mundësitë do e marrë në ekipin e parë kombëtar të Shqipërisë lojtarin e U-19, për ta projektuar në të ardhmen krah kapitenit Gjimshiti.

Mitaj, Ismajli, Kumbulla, Ajeti, Gjimshiti dhe tanimë Kaçurri, duket se janë garancia e Kombëtares për prapavijën./Shqiptarja

 

Maldin Kaçurri