Teksa nga momenti në moment Prokuroria e Tiranës pritet të ekzekutojë vendimin e dënimit me formë të prerë të deputetit demokrat Ervin Salianji me 1 vit burgim per kallezim te rreme, i lënë dje në fuqi nga Gjykata e Apelit, për dosjen “Babale”, kampet politike janë përfshirë në konflikt ligjor dhe juridik. Grupi Parlamentar i PD-se iu drejtua kryeparlamentares Elisa Spiropali me kërkesë për të mbledhur sot me urgjencë (27 Shtator) Këshillin e Mandateve në Kuvend.
Por kjo kërkesë nuk ka marrë ende përgjigje zyrtare dhe burimet thonë nuk do thirret Këshilli i Mandateve, duke ndjekur precedentin me Arben Ahmetajn, që pasi mungoi 6 muaj në Parlament, u njoftua se humbet mandatin.
Mazhoranca pretendon se meqë është vendim i formës së prerë, deputeti e humbet automatikisht mandatin dhe s’ka nevojë për mbledhje të Këshillit të Mandateve.
Por PD mendon ndryshe, duke e cilësuar antikushtetues arrestimin e deputetit Salianji, pa u mbledhur Këshilli dhe pa autorizim të Kuvendit.
Këto janë dhe dy mënyrat se si mund të veprohet për rastin e Salianjit dhe duket se mazhoranca ka refuzuar që të mblidhet ky këshill.
Gazetarja e Report TV, Esiona Konomi, raportoi sot se shkresa e Prokuroisë në Kuvend pritej të mbërrinte nga momenti në moment. Gjithashtu nuk kishte reagim zyrtar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali për kërkesën e PD-së dhe çështjen në fjalë.
Por sipas procedurës, ditën e hënë, gjatë seancës, kryeparlamentarja pritet të lexojë nenet e Kushtetutës dhe të njoftojë se Salianji ka humbur mandatin, sepse vendimi i Gjykatës është i formës së prerë.
Nga ana tjetër, Komisioni i Integrimit ka shtyrë në mënyrë të papritur mbledhjen e parashikuar për sot, me vendim të kryetares Jorida Tabaku, e cila do lexonte një dokument të rëndësishëm që kërkohej edhe nga BE-ja për procesin e integrimit.
Shkak i shtyrjes mendohet se janë bërë zhvillimet e fundit, pas dënimit të Salianjit dhe vendimmarrjet e forumeve të PD-së, duke ndryshuar edhe strategjinë politike ndaj mazhorancës, teksa më 6 Tetor ka paralajmëruar protestën e radhës./Shqiptarja