Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, në prag të dy ndeshjeve të kombëtares në Ligën e Kombeve, ka thënë se objektivi parësor është fitorja ndaj Rumanisë dhe pozita e parë në grup.

Në konferencën e tij të parë për media para fillimit të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, Foda theksoi se ekipi dardan është i motivuar dhe në formë të jashtëzakonshme për ndeshjen e parë kundër Rumanisë.

Përzgjedhësi Foda shprehu besimin e tij tek lojtarët dhe theksoi rëndësinë e një fillimi të suksesshëm në këtë garë.

"Të gjithë lojtarët janë në formë jashtëzakonisht të mirë dhe kjo na jep shumë mundësi për të zgjedhur formacionin më të mirë. Edhe pse në ndeshjet e kaluara nuk kemi shënuar shumë gola, tani kemi në dispozicion lojtarë si Muriqi, Rrahmani, Zhegrova dhe Asllani, të cilët kanë shkëlqyer me klubet e tyre dhe shpresojmë që këtë formë ta sjellin edhe në kombëtare", tha Foda.

Duke folur për talentët e rinj të grumbulluar në kombëtare, Foda theksoi potencialin e Eliot Bujupit dhe Albion Rrahmanit. Sipas tij, Eliot Bujupi është një lojtar i ri, por me aftësi të jashtëzakonshme për shënimin e golave dhe përshtatet me ekipin.

Sa i përket formacionit për ndeshjen kundër Rumanisë, Foda u shpreh se do të jetë fleksibil duke pasur parasysh aftësitë dhe formën e lojtarëve. Lidhur me objektivat e ekipit, Foda tha se qëllimi është vendi i parë në grup, por fillimisht fitorja ndaj Rumanisë.

Kombëtarja e Kosovës do të luaj kundër Rumanisë më 6 shtator në orën 20:45 në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, ndërsa kundër Qipros më 9 shtator si mysafire. Kosova bën pjesë në grupin e tretë të ligës "C" në kuadër të Ligës së Kombeve së bashku me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë./aa