Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vijuar vizitën zyrtare në Parlamentin Evropian.

Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i EPP në Parlamentin Evropian.

Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar të PD në të cilin theksohet se, eurodeputeti Michael Gahler, koordinator i EPP në Parlamentin Evropian, është një mik i vyer i Shqipërisë dhe një avokat i të ardhmes së saj europiane si dhe një njohës i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë.

Si anëtar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, deputetët e PD kishin mundësi ta informonin mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri.

“Asgjësimi i opozitës, ekzekutimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, cenimi i balancave mes pushteteve, bashkëveprimi në qeverisje me krimin e organizuar dhe korrupsioni i kudogjendur, janë metoda që e largojnë Shqipërinë nga Europa dhe e bëjnë të njëjtë me vendet autoritare”, thuhet në njoftimin e grupit parlamentar të PD./ata