Pas gati 40 orësh në Njësinë e Kujdesit Intensiv në Athinë, gjendja e këngëtares greke Kyriaki Papadopoulou e njohur si Marinella mbetet e qëndrueshme, por sipas mjekwve ende nuk e ka kaluar rrezikun.
86-vjeçarja u rrëzua në skenë gjatë koncertit të saj në teatrin e lashtë romak në Athinë mbrëmjen e së mërkurës, pasi pësoi një goditje në tru.
Ajo po merr kujdes intensiv ndërsa mësohet se ka pasur gjakderdhje në tru, ndërsa bëhet e ditur se për momentin nuk do bëhet asnjë lloj ndërhyrje.
Këngëtarja ishte në këngën e saj të tretë gjatë koncertit të së mërkurës mbrëma në teatrin e lashtë romak rrëzë Akropolit, kur u duk se humbi ekuilibrin dhe më pas u rrëzua.
Pjesa tjetër e koncertit, ku do të merrte pjesë edhe këngëtari grek Antonis Remos, u anulua.
Një emër i njohur për brezat e grekëve, Marinella ka lindur në maj të vitit 1938 dhe ka një vend të veçantë në disa zhanre të muzikës greke.
Ajo këndon profesionalisht që nga viti 1956, pra për gati 68 vjet. Ka nxjerrë me dhjetëra albume personale, shumica e të cilëve kanë pasur sukses komercial.
Marinella ishte këngëtarja e parë që përfaqësoi Greqinë në Eurovision Song Contest, në vitin 1974 kur u mbajt në Brighton, Angli dhe u fitua nga ABBA./EuroNews