Fshati Basnjkë në veri të Kosovës mori rrugën e tij të parë: Rruga tani quhet Afrim Bunjaku. Kështu quhet polici i vrarë në sulmin e armatosur para një viti nga një grup i armatosur i serbëve. Më pas në konfliktin me Policinë e Kosovës janë vrarë edhe tre serbë – dy nga Leposaviqi dhe një nga Zveçani.
Tabelën me emrin e rrugës e ka zbuluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Banjskë ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Një vit nga ngjarjet e 24 shtatorit 2023, jeta në Banjskë ka ndryshuar dukshëm. Atje ka më shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e më pak vendorë, sepse vendorët janë shpërngulur në zona të tjera.
Këto ditë nga frika e provokimeve u mbyll edhe manastiri i famshëm i fillimit të shekullit XIV në këtë fshat. Shkolla fillore “Banoviq Strahinja” në 24 shtator ishte e zbrazët – kjo shkollë ka më së shumti nxënës të klasës së parë në të gjitha fshatrat e veriut të Kosovës – shtatë.
“Më mirë një rrugë se një monument”
Shiu i dendur në përvjetorin e parë i detyroi fshatarët të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por shiu nuk është e vetmja arsye: ata e dinin, siç thonë, se fshati i tyre do të ishte nën vështrimin e politikanëve dhe gazetarëve atë ditë. Banorët thonë se akoma nuk e kanë marrë veten nga ato ngjarje. Ata ende nuk duan të flasin hapur për këtë.
Një nga të paktët që pranon të flasë është aktivisti civil Dejan Nedeljkoviq. Ndonëse prej kur është martuar nuk jeton në Banjskë, shpesh vjen këtu në shtëpinë e prindërve. Ai thotë se po angazhohet që Banjskë të ringjallë potencialin e saj turistik.
Nedeljkoviq thotë: “E dinim se dikush do të vinte dhe do ta shënonte disi këtë ditë. Madje u tha se do të ngrihej edhe një monument. Nuk do të habitesha nëse do të ishte një monument i gjatë dy metra. Por emërimi i një rruge është padyshim një alternativë më e mirë. Deri më tani Banjska nuk kishte asnjë rrugë, adresa e saj ishte Banjska bb (Banjska pa numër)”, thotë ai për DW. Ai shton se askush në fshat nuk shqetësohet me emrin e rrugës.
Nedeljkoviq flet për ngjarjet e një viti më parë kështu: “Njerëzit kaluan nëpër ferr atë natë”. E para, nuk dihej se kush ka hyrë në fshat, nuk e dinim nëse ishte ushtria serbe. Meqë ishin me uniformë, në fillim menduan se ka hyrë ushtria serbe. Pastaj në një moment u shfaqen persona të uniformuar që flisnin serbisht, ndërsa më vonë persona me uniformë që flisnin shqip, sepse ndërkohë edhe ata kanë hyrë në Basnjskë. Ishte shumë stres. Atë mbrëmje kanë qenë edhe prindërit e mi këtu. Atyre u është thënë të fshihen pas murit dhe të mos dalin në dritare, sepse mund të qëllohen”.
Nedeljkoviq e quan situatën e sigurisë në veri të Kosovës si shumë të keqe, sidomos që nga dita kur serbët u larguan nga institucionet, mbi të gjitha nga Policia e Kosovës dhe nga gjyqësori.
“Ishte një vendim katastrofik. Kishim 650 policë të armatosur ligjërisht, të cilët në çdo moment mund t’i thoshin Policisë së Kosovës se nuk duhet të vijnë në veri dhe të shkaktojnë telashe, siç ndodh në disa enklava në jug. Në situata të tilla paraqitet FOR-i dhe ndalen problemet”, thotë ai dhe kërkon që KFOR-i të vijë edhe në Banjskë.
Prokuroria me siguri do të insistojë në zbardhjen e ngjarjeve
Për shkak të rastit Banjska, Prokuroria e Kosovës në shtator ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave. Tre u arrestuan, të tjerët janë në arrati. Në mesin e të arratisurve është edhe Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë para institucioneve në Serbi, por atje nuk ka filluar asnjë proces. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë këto ditë që të ndjekin penalisht autorët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Serbinë për këto ngjarje.
Me avokatin Ljubomir Pantoviq, i cili mbron njërin nga të arrestuarit, Blagoje Spasojeviq, kemi biseduar dy herë – para dhe pas seancës së parë paraprake. Edhe pse ai dhe avokatët e tjerë arritën të shtyjnë seancën për 9 tetor, avokati Pantoviq është ende dukshëm i dekurajuar.
“Arsyeja kryesore pse kërkuam shtyrje është se Prokuroria është e detyruar t’ua dorëzojë të gjithë materialin mbrojtësve shumë përpara fillimit të gjykimit. Ndërsa dokumentet i kemi marrë vetëm një ditë e gjysmë para fillimit të seancës, e të pandehurit nuk i kanë marrë fare. Ndaj kemi kërkuar shtyrje. Prokurori kërkoi që gjykimi të mbahet, por gjykata e pranoi propozimin tonë për shtyrjen e seancës paraprake”, thotë avokati Pantoviq.
Spasojeviq akuzohet për vepra penale kundër sigurisë dhe rendit kushtetues të Kosovës si dhe veprën penale të kryerjes së aktit terrorist. Avokati pretendon se këto gjëra nuk mund të bashkohen në një aktakuzë, por shton se kjo do të zgjidhet në sallë.
Për të dyja veprat penale, sipas ligjit të Kosovës, dënimet e parapara janë nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm, ose nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Avokati Pantoviq tha për DW se prokuroria me siguri “do insistojë deri në fund që të dëshmojë gjithçka”, në veçanti kur dihet se tani është koha e fushatës para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Ura në Mitrovicë
Një parti e re në qiellin politik të Kosovës planifikon tani të marrë pjesë në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës: Lëvizja Popullore Serbe (SNP). Kryetari i saj, Milija Bishevac, beson se Lista Serbe (LS) nuk është e mirë për interesat e popullit serb në Kosovë. Ai shpjegon se partia e tij do të ketë një qasje “më shumë realiste” dhe se me këtë opsion do të kërkojë votat.
Sa i përket sigurisë në veri, ai thotë se është në nivelin më të keq që nga viti 1999. Për këtë kanë fajin edhe ngjarjet në Banjskë, thotë ai dhe shton: “Ngjarjet në Banjskë i arsyetuan represionet – jo zyrtarisht, por Kurti i përdor këto ngjarje si justifikim, për të vërtetuar se të gjithë në veri jemi kriminelë dhe se këtu sundojnë disa rryma militante, që absolutisht nuk është e vërtetë. Ne duam vetëm liri, duam një jetë normale, duam të qëndrojmë aty ku kemi lindur dhe ku duam të jetojmë edhe në të ardhmen”, tha Bishevac për DW.
Ai e konsideron hapjen e paralajmëruar të urës mbi lumin Ibër ndërmjet Mitrovicës veriore dhe jugore si akt populist dhe politik të kryeministrit të Kosovës. “Mendoj se në këtë moment nuk është koha për hapa të tillë. Sigurisht që urat duhet të lidhin njerëzit, sigurisht që ne duhet të bashkëpunojmë. Njerëzit kalojnë dhe duhet të kalojnë këtu, por besoj se me hapjen e kësaj ure në këtë moment nuk do të kontribuojmë asgjë, përveç se Kurti dhe partia e tij do ta paraqesin si një fitore tjetër, si një akt që askush nuk e ka bërë deri më tani”, thotë Bishevac.
Përgjegjësia e Serbisë për ngjarjet në Banjskë
Me politikanët shqiptarë nuk arritëm të bisedojmë, sepse kërkesat tona për intervistë i kanë refuzuar si ministri i Brendshëm, ashtu edhe drejtori i Policisë dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut. Por doktori i shkencave politike Dritero Arifi për DW analizon situatën në veri, të cilën e quan “më të mirë dhe më pozitive – jo vetëm për shkak të asaj që është arritur atje, por edhe për shkak të mundësive politike që janë shfaqur në veri të vendit”. Në njëfarë mënyre, edhe qytetarët e veriut të Kosovës, konkretisht komuniteti serb, e kuptuan se me akte të tilla nuk mund të arrihet asgjë. Situata e sigurisë është stabile, por potencialisht e brishtë dhe mund të përshkallëzohet kohë pas kohe”, tha Arifi për DW.
Lidhur me ngjarjet në Banjskë ai thotë se ishte një “sulm ndaj rendit demokratik” dhe ate jo vetëm ndaj Kosovës, por ishte një “incident ndërkombëtar”, kur dihet se ka pasur edhe komunikime me eprorët në Serbi. Ai pret të zbulohen disa detaje të reja që nuk dihen deri tani.
“Kjo na shpie në përfundimin – edhe pse rasti ende nuk është mbyllur – se shteti i Serbisë mban përgjegjësi në një mënyrë apo tjetër. Duhet të shpjegohet tërësisht ngjarja. Por publikimi i detajeve tregon se opinioni nuk ishte i informuar paraprakisht, sidomos për organizimin dhe financimin e gjithë operacionit”, thotë analisti nga Prishtina.
Arifi gjithashtu shton se Serbia nuk po sillet si shtet perëndimor, ajo heziton të përfshihet më shumë në këtë rast dhe nuk dëshiron të bashkëpunojë me Kosovën, të ekstradojë përgjegjësit apo t’i ndëshkojë ata në Serbi. “Tani shtrohet pyetja: nëse Serbia nuk i dënon, a do të thotë se ka qenë pjesëmarrëse dhe tani po hesht? Jam i bindur se herët a vonë Serbia do të shpallet përgjegjëse në njëfarë forme për këtë rast”, përfundon bashkëbiseduesi ynë.
Për dokumente në Mitrovicën e Jugut
Për hapjen e paralajmëruar të urës në Mitrovicë, Arifi thotë se hapja do të jetë sinjal se situata jo vetëm në veri, por në përgjithësi është mjaft stabile dhe pozitive – e kjo hapje, si sipas tij, do të ishte simbol i një lloj integrimi të serbëve në veri. “Besoj se ka më shumë pengesa politike sesa teknike apo të sigurisë. Pas integrimit gjithëpërfshirës të komunitetit serb në veri në institucionet e Republikës së Kosovës, lokale dhe qendrore, ura do të bëhet çështje dytësore”, beson Arifi.
Sa i përket serbëve nga veriu, ata kalojnë urën e diskutueshme në numër të madh – në këmbë. Ata thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër, sepse të gjitha institucionet janë në anën jugore të Ibrit.
“Për çdo dokument duhet të shkoj në Mitrovicën e Jugut, sepse atje ka institucione të Kosovës. Në veri nuk ka”, thotë pensionisti Stevica Joviq. Ai shpjegon se dikur ka jetuar në pjesën jugore të Mitrovicës, por, siç thotë ai, është dëbuar në vitin 1999.
“Duhet të shkoj atje për të marrë një kartë identiteti, çdo lloj certifikate”. Prokuroria, policia, gjykatat… nuk ekzistojnë në veri. Unë duhet të shkoj në Rashkë për të marrë pensionin, sepse rrogat dhe pensionet i marrim me dinarë. Sa të jem shëndosh e mirë, mund të shkoj në Rashkë. Por si mundet të shkojë dikush që është i sëmurë, e ka nevojë për ilaçe apo ndonjë nevojë tjetër?” /DW/