Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë përkujtuar sot 24-vjetorin e betejës së Çabratit.

 

Osmani ka potencuar se dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit dhe “do t`i kujtojmë përherë me respekt”.

 

“26 luftëtarë të Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 24-vjet më parë ranë heroikisht në Betejën e Çabratit, në përpjekjen e tyre për t`u dalë në ndihmë bashkëqytetarëve të tyre, të cilët tri ditë rresht iu nënshtruan veprimeve kriminale të regjimit gjenocidal të Serbisë. Afro 100 banorë civilë u vranë në mënyrë mizore nga makineria gjenocidale serbe, mbi 300 u rrëmbyen me dhunë, teksa lufta për mbrojtjen e pragut të shtëpisë kishte marrë hov gjithandej, afro një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë. Dëshmorët e UÇK-së janë vula e përjetësisë së shtetit tonë dhe do t`i kujtojmë përherë me respekt!”, është bërë e ditur në deklaratën e Osmanit.

 

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha që janë bërë për çlirimin e vendit.

 

“Mëngjesin e 7 majit të vitit 1999, Çabrati i Gjakovës agoi nën rrethimin e forcave të shumta të Serbisë. Në mbrojtje të civilëve doli Brigada 137 “Gjakova”. Luftimet e ashpra mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe vazhduan deri më 11 maj. Në këto ditë maji të vitit 1999, në Çabrat e në rrethinat e qytetit, ranë 26 dëshmorë e më shumë se 100 martirë. Mbi 350 civilë të moshave të ndryshme u rrëmbyen me dhunë. Shumë prej tyre u mbajtën peng në burgje të ndryshme. Sot kujtojmë djemtë dhe vajzat që luftuan në betejën e Çabratit. Kujtojmë çdo ditë sakrificat e mëdha për çlirim! I përjetshëm qoftë kujtimi për 1022 martirët dhe 361 ushtarët dëshmorë të Gjakovës!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

 

Sot, në Gjakovë do të kujtohet 24-vjetori i “Epopesë së Çabratit”, në të cilën për lirinë e Kosovës janë flijuar dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit. Datat 7, 8 dhe 9 maj të vitit 1999, për shumë nga qytetarët e Gjakovës, që atëherë kanë qenë në qytet, do të kujtojnë momentet e luftimeve të ashpra mes forcave të UÇK-së dhe policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

 

Kjo betejë ka qenë e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ka qenë mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës. Në këtë betejë kanë rënë shtatë dëshmorë dhe 41 civilë. Po ashtu, më 7-8 maj janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje./KosovaPress/