Dhunohet me shkop bejsbolli efektivi i Burgut 313 në Tiranë, i cili po dilte nga banesa për të shkuar në punë.

Efektivi Arbër Labi, 36-vjeç, mësohet se është goditur nga tre autorë, në afërsi të banesës së tij në Yzberisht, në rrugën "3 Dëshmorët". Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm.

Labi ndodhet në Spitalin e Traumës. Autorët kanë qenë me një mjet tip fuoristradë të bardhë, kurse policia tha se po punon për identifikimin e tyre dhe kapjen.

3 personat e kanë goditur efektivin me shkop bejsbolli në kokë. Në momentin që ai ka nxjerrë armën e shërbimit, autorët ia kanë marrë, ndërkohë të dëmtuarit i ka mbetur vetëm karikatori. Në dëshminë paraprake, efektivi Labi ka thënë se dyshon që sulmi të ketë ndodhur për shkak të detyrës.

Megjithatë për hetuesit po hetohet dhe pista e ndonjë konflikti me persona të tjerë, që nuk ka lidhje me punën si efektiv burgjesh. I riu punonte edhe në lokale nate, ku mund të ketë pasur ndonjë konfliktit me autorët që më pas e dhunuan.

Burime zyrtare policore konfirmuan ngjarjen dhe bënë me dije se ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. 36-vjeçari, banues në Yzberisht, është punonjës pranë Burgut 313.

“Ai sapo ka dalë nga banesa për punë, kur është goditur dyshohet me sende të forta nga tre persona ende të paidentifikuar, të cilët i kanë marrë armën e shërbimit dhe më pas janë larguar”, bëri me dije Policia e Tiranës.

Aktualisht 36-vjeçari ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

“Grupi hetimor po punon për kapjen e autorëve të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sqaron policia.

I dëmtuari është dërguar me urgjencë te Spitali i Traumës, pasi ka fraktura dhe dëmtime jo vetëm në trup, por edhe në pjesën e kokës. Policia po mbledh dëshmitë dhe verifikon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë./Shqiptarja