Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur të premten në mbrëmje në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) deklaroi se, “Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë europiane e një aleancë të padiskutueshme ndaj komunitetit të madh demokratik të vendeve”.

Rama publikoi në rrjete sociale, pjesë nga fjala e mbajtur në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, ku ka folur për pavarësinë e Kosovës si një realitet i pakthyeshëm dhe si vend me një perspektivë të qartë evropiane.

Rama bashkëngjitur videos shkruan se, “Ja si flet një tradhëtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si “vëllaun e Vuqiqit””.

Në fjalën e tij në OKB, Rama tha se, Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit Euroatlantik.

“Çdo paralele e hequr artificialisht midis Kosovës e zonave të pushtuara të Ukrainës kanë për synim të shpërqendrojnë e të hutojnë këdo që është e mundur në këtë ndërtesë dhe të gjithë opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund t’ia arrijnë të zbehin të vërtetën që është: Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit Euroatlantik e nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime e justifikime të rreme, duke e nisur nga grupi i 5 shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin vendin e Kosovës me të drejtë, në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”, u shpreh kryeministri./ata