Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike ku u vendos për hapjen e garës për kryetar më 29 korrik, është shoqëruar me tensione të shumta.

 

Vendimi për hapjen e garës ka sjellë tensione në mbledhje, pasi deputetët, që njëherazi janë edhe anëtarë të Kryesisë, nuk kanë pranuar që zgjedhjet të mbahen tani afër. Ata kërkuan që fillimisht të zhvilloheshin zgjedhjet në bazë e më pas të caktohet kryetari i ri.

 

Orët e fundit të mbledhjes u shoqëruan edhe me tensione dhe tone të larta. Teksa anëtarët e kryesisë mbanin diskutimet e fundit, një grup militantësh të PD, mbështetës të Lulzim Bashës, u mblodhën jashtë. Sikurse shohet edhe në videon e mëposhtme ata kanë hyrë në një moment në ambientet e godinës ku po zhvillohej mbledhja.

 

Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi ishin deputetë që braktisën të parët mbledhjen e Kryesisë. Gjatë largimit nga mbledhja, deputetët janë sharë dhe ofenduar nga militantët që ishin mbledhur para selisë blu.