Festivali i filmit të animuar për fëmijë “Anifest” çeli siparin në edicionin e 15-të të tij, në qytetin e Gjirokastrës.

Festivali ka përzgjedhur nga një koleksion prej mbi 1000 filmash për të sjellë në këtë edicion special që përkon edhe me 50-vjetorin e filmit të animuar në Shqipëri rreth 80 filma nga të cilët 40 ishin të nominuar për çmim.

Piktori dhe regjisori i eventit, Artan Maku tha se, eventi synon edukimin e fëmijëve.

“Qëllimi ynë është edukimi i fëmijëve. Sivjet ne kemi edhe 50-vjetorin e filmit të animuar. Studio e filmit të animuar brenda televizionit të atëhershëm ka filluar në vitin 1974.  Filmat konkurrues kanë kaluar në një sitë shumë të fortë. Nga 1,070 filma u përzgjodhën filmat më të mirë. Të gjitha tematikat do të preken, humori, tematika e familjes. Me këtë festival vlerësuam edhe audiencën edhe krijuesit”, u shpreh Maku.

“Anifest” përzgjodhi për të shfaqur filma kryesisht me metrazh të shkurtër dhe me një gamë të gjerë tematikash.

Ndërsa Marinela Ndria drejtoreshë e arkivit qendror shtetëror të filmit e cilësoi këtë aktivitet ndër festivalet e vetme që zhvillohen në Shqipëri.

“Kjo është një kohë e artë. Në 50 vjetorin e “Anifest” kemi futur sesionin e filmit klasik të animuar. Janë mbi 50 filma që shfaqen në vijimësi dedikuar filmit klasik të animuar”, tha ajo./ata