Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) themeloi në Korçë, Klubin e Librit me fokus “Mësojmë nga e shkuara, 1944-1991’, në të cilin do të diskutohet rreth librave artistikë e historikë, etj. ku përshkruhen ngjarje që kaluan në heshtje gjatë regjimit diktatorial.

Programi i këtij klubi synon të përfshijë në aktivitetin e leximit dhe të diskutimit mbi
libra me tematikë nga ngjarje dhe personazhe, ekzistenca e të cilëve është mohuar nga
letërsia e shkruar gjatë realizimit socialist, kur shteti kontrollonte narrativën e
shkrimtarëve dhe shpërndante informacione të shtrembëruara për të ruajtur pushtetin.

Aktiviteti i parë i këtij klubi nisi në qytetin e Korçës, vendi ku është themeluar shkolla
e parë shqipe, ku të pranishëm në bibliotekën e qytetit ishin profesorë dhe studentë të
Universitetit “Fan S. Noli”, mësues dhe nxënës të sistemit parauniversitar, historianë
dhe anëtarë të shoqatës së të përndjekurve të zonës.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, tha në fjalën e saj të hapjes se, “Dialogu
mbi të shkuarën, kërkon njohje, por edhe reflektim si në nivelin historik, ashtu edhe
filozofik, ku letërsia luan në rol të rëndësishëm në zhvillimin e ndërgjegjes shoqërore.

Çështje të tilla që lidhen me ngjarje të së kaluarës totalitare si: mungesa e lirisë,
shtypja e të të drejtave të njeriut, propagandës, dezinformimit, persekutimit, burgosjes
apo edhe ekzekutimit të kundërshtarëve politikë, dhuna e stanjacioni ekonomik, kërkojnë
një debat të një niveli të lartë, e cili synon të përfshijë në të publikun e gjerë dhe
sidomos të rinjtë.

Ky debat, kjo njohje mbi të shkuarën duhet ushqyer nga vepra të filozofëve dhe
shkrimtarëve, vendas dhe të huaj, si të atyre që shkruan apo përkthyen në burgjet e
sistemit komunist dhe kampet e internimit, apo dhe të tjerëve që i mbijetuan ferrit dhe
bashkë me dëshmitë e tyre kanë krijuar letërsinë memuaristike mbi lëndën e burgut.”

Librat do të përzgjidhen nga bordi i Klubit i Librit, me përfaqësi nga AIDSSH, MAS,
Qendra e Librit dhe Leximit, të cilët do të ndjekin dhe moderojnë aktivitetin. Klubi do
të mbahet në qytete ku AIDSSH ka hapur Dialogët Lokalë si, Shkodër, Berat, Sarandë,
Konispol, Delvinë, Mirditë, etj.

Klubi i Librit, i cili do të përbëhet gjithmonë nga 20 veta, do të shtrihet në kohë dhe në
hapësirë, duke vendosur në optikën e analizës kritike jo vetëm tekste artistike që lidhen
me të shkuarën, por edhe tekste të natyrës sociologjike, politike, filozofike.

Materialet e dala nga ky klub do të jenë pjesë e Platformës digjitale “Të mësojmë mbi
të shkuarën ’44 – ‘91 – Burime të arsimore të hapura”, e cila vjen në funksion të
edukimit të të rinjve me njohjen e të vërtetave historike, veprimtarisë së zhvilluar nga
ish-Sigurimi i Shtetit, pas Luftës së Dytë Botërore në vend.

Për librin e parë të Klubit

Takimi i parë i nisi me diskutimin e librit “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit ”, të
autorit Marçel Hila, në përkujtim të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se, “libri që propozohet për t’u lexuar ka
lidhje edhe me dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, por dhe me epopenë e shpëtimit të
hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore ku në shumë vende me pa të drejtë u përndoqën. Nga dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat kanë mbajtur peshën e sekretit prej shumë
kohësh, jo pak herë kanë lindur histori të jetuara, të cilat janë shkruar në formë
memuaresh, në forme tregimesh për t’i përcjell ato emocione, për të përcjell ndjesitë
edhe për të nxitur një lloj empatie dhe mirëkuptimi mes shtresave të shoqërisë që edhe
nuk e kanë jetuar këtë kohë. Këto libra ne në Autoritet i hasim përditë dhe i kemi me admirim burime të informimit, burime të hyrjes në një teme që flet për një kohë kur libra me ngjarje të tilla nuk ekzistonin. Këto libra e kanë të vështirë rrugën për të kaluar te publiku dhe sidomos tek brezat e rinj ku Autoriteti ka dhe mandat të përcaktuar me ligj për edukimin qytetar. Kemi menduar që përmes klubit të librit të bëjmë bashkë letërsinë dhe historinë, të flasim për aspektin njerëzor të këtyre historive që janë shpesh herë personale e intime. I ftojmë mësuesit e këtyre katër lëndëve që të gjykojnë vet për këto libra dhe pse jo të përdorin mendimin kritik t’i qasen dosjeve të Ish- Sigurimit.”

Gjatë diskutimeve të mbajtura, profesorë të katedrës së historisë të Universitetit të
Korçës, si Metin Venxha, Nuredin Nazarko, Arjan Ago dhe studenti Migel Dulellari
trajtuan në fjalën e tyre, se si është realizuar ballafaqimi i të vërtetave historike në
rrëfimin e autorit.

Dr. Metin Venxha veçoi disa fakte historike që lidhen më ndihmën që qeveria shqiptare
e kohës i ka dhënë hebrenjve dhe fakti që këto merita ende nuk i njihen këtyre figurave
në historiografinë komuniste.  “Në klubin e Parisit, hebrenjtë flisnin që është një
mbretëri e vogël në Ballkan me një Mbret shumë dashamirës që jep viza, Ahmet Zogun
që e nxjerrin “një mijë e një” të zeza , këtë cilësi gati ja kemi mohuar. Apo kur
personazhi spiunohet në shtëpinë e vet në Austri ku kish jetuar 25 vjet ndërsa kurse
hoxha i xhamisë së Kavajës , i jep mikpritje dhe shërbim ende pa i njohur mire. Pra,
tregon atë institucionin e besës dhe mikpritjes së shqiptarëve, që edhe pse ishte një
periudhë e tmerrshme për Shqipërinë dhe të gjithë Evropën, përsëri ne nuk lëvizëm nga
kultura jonë.”

Të pranishëm, miq të klubit të librit, si Akademiku Shaban Sinani, i cili përgëzoi
AIDSSH për krijimi e këtij klubi dhe për tematikën e zgjedhur, tha se historia shqiptare
e shpëtimit të hebrenjëve sot në Izrael është lëndë e veçantë mësimore.
Ndërkohë, Simon Mirakaj, familjari i një prej personazheve të librit, Kol Bibë
Mirakajt, foli për rolin qendror në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.

Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit tha se, “në këtë libër ngjarjet mbështeten në
fakte historike, dhe kjo e gjallëron tregimin dhe ngjall interes tek lexuesi. Në këtë libër
secili nga personazhet që nga qeveritarët, përfaqësuesit e feve, qytetarëve, malësorë, i
mbajtën anën mysafirit, i mbajtën besën thënë kjo bukur në shprehjen “Shtëpia është e
mikut dhe e Zotit”.

Fjalën me pas e mori autorit Marçel Hila e cili tregoi rreth dokumenteve dhe dëshmive
qe ka përdorur për të shkruar subjektin e këtij libri.

Në libër takohen personazhe historikë si: Kolë Bib Mirakaj, Eqerem bej Libohova,
Ibrahim Biçakçiu, Lef Nosi, Mehdi Frashërin, e Padre Anton Harapit.

Romani është i zhanrit historik. Me anë të retrospektivës, na kthen në Luftën e Dytë
Botërore, në mënyrën se si hebrenjtë janë mikpritur dhe strehuar nga shqiptarët. Libri
vë në dukje zakonet e traditat shqiptare në raport me mikpritjen, përpjekjet që këta personazhe historikë kanë bërë për sigurimin e pasaportave familjeve izraelite të
ardhura në Shqipëri.

Ky libër flet për histori të vërteta të mbrojtjes së familjeve hebreje në Shqipëri, për
përpjekjet e drejtuesve të Shqipërisë, në atë kohë, për ti mbrojtur ata, dhe që më vonë
iu nënshtruan ndëshkimeve më të ashpra nga diktatura komuniste.

Sipas statistikave zyrtare 3750 hebrenj janë strehuar dhe shpëtuar në Shqipëri gjatë
pushtimit nazist. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë
historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë
shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, fjalës së dhënë dhe e mbajtur.

Në mbyllje, kryetarja e Autoriteti mbajti takim me drejtoreshën e Bibliotekës së qytetit
të Korçës, me të cilën u fol për bashkëpunime të mëtejshme dhe vendosjen e një fondi
librash të Autoritetit në një stendë të veçantë për lexuesin e interesuar. Po kështu edhe
librat që do diskutohen në Klubi i Librit të jenë pjesë e kësaj bibloteke./ata