Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se janë mbi 15 mijë nxënës që ndjekin aktualisht arsimin profesional, prej të cilëve mbi 4,400 nxënës janë regjistruar këtë vit akademik, ose 10% më shumë se një vit më parë.
“Me kërkesat në rritje të tregut të punës për profesionistë të kualifikuar gjithnjë e më shumë të rinjtë po orientohen drejt zanateve dhe po zgjedhin arsimin professional, si rrugën e duhur për punësim të sigurt”, tha ministrja Manastirliu.
Shkollat profesionale po shihen në vendin tonë, si një mënyrë më e lehtë për t’u punësuar pas përfundimit të studimeve. Arsimi profesional përfshin një gamë të larmishme fushash studimi, ku secila ofron mundësi për të zhvilluar aftësi të specializuara dhe për të ndjekur karriera frytdhënëse. Përmes arsimit profesional, të rinjtë rrisin njohuritë dhe mundësitë për të gjetur veten në tregun e punës. Gjitahshtu ministrja Manastirliu theksoi se sporti është bërë pjesë integrale e edukimit në shkolla, ku mbi 12 mijë nxënës janë përfshirë këtë vit në Programin Kombëtar të Ekipeve Sportive.
“Në çdo shkollë të re, por dhe ato që janë në proces ndërtimi, kemi investuar në terrene sportive dhe palestra moderne dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të nxënësve që ushtrojnë aktivitet fizik në displina të ndryshme sportive”, shtoi ministrja Manastirliu.
Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit po mbështet nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm profesional me mbi 2500 bursa studimi./Scan