Llogaridhënia dhe integriteti në veprimtarinë e administratës publike janë thelbësore për forcimin e kulturës së transparencës përballë qytetarëve.
Me rastin e 28 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtën e Informimit, Zyra e Komisionerit zhvilloi në mjediset e institucionit të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil një aktivitet informues e ndërgjegjësues.
“Legjislacioni për të drejtën e informimit ashtu si edhe ai për shërbimin civil kanë për qëllim të ndikojnë në formësimin e një administrate publike të përgjegjshme dhe profesionale, për të ofruar shërbime cilësore duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp të IDP-së.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave mes nëpunësve, njohja me praktikat më të mira respektive dhe ngjashmëritë apo pikat e përbashkëta të kuadrit rregullator në ushtrimin e përgjegjësive sipas fushave të veprimtarisë.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim ishte publikimi i informacionit që ka të bëjë me vendimmarrjen e autoriteteve publike në kuadër të transparencës proaktive, ashtu si edhe konsolidimi i rolit të koordinatorit për të drejtën e informimit brenda strukturave institucionale.
Vëmendje iu kushtua zbatimit me korrektësi të legjislacionit për Shërbimin Civil në trajtimin me balancë dhe proporcionalitet të të drejtës për informim dhe asaj për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky bashkëpunim dhe ndërveprim mes stafeve të institucioneve të pavarura siguron një njohje më të zgjeruar të kornizës ligjore dhe procedurave të njëri-tjetrit, për të nxitur përgjegjshmërinë dhe integritetin në ushtrimin e kompetencave institucionale./ata